Supremja refuzon kërkesat e mbrojtjes për Pantiqin e Zariqin, mbeten në paraburgim për krime lufte

Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtja e Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Komunën e Istogut.

Kërkesat ishin dorëzuar kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin konfirmuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Sipas Gjykatës Supreme, ekziston dyshim i bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen, ndërsa janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Gjykata ka theksuar gjithashtu rrezikun e arratisjes, duke marrë parasysh peshën e veprave, dënimin e mundshëm dhe faktin se të pandehurit janë shtetas të Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi.

Në vendim thuhet se masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme, ndërsa paraburgimi konsiderohet i domosdoshëm për sigurimin e pranisë së tyre gjatë procedurës penale.

Pantiq dhe Zariq nuk i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë Speciale, të cilat i ngarkojnë me vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim masiv, plaçkitje, shkatërrim të pronës dhe spastrim etnik të popullsisë shqiptare në Istog gjatë luftës.

Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në dëbimin e civilëve nga shtëpitë e tyre, djegien e rreth 5 mijë shtëpive dhe vrasjen e 260 personave, përfshirë 19 fëmijë.

Të fundit nga rubrika