Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur në rastin penal ndaj 20 të pandehurve, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale të organizuar, përfshirë trafikim të narkotikëve dhe shpërlarje parash.
Sipas vendimit të Kolegjit të Gjykatës Supreme, kërkesa ishte ushtruar kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin konfirmuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurit.
Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin PPPS.nr.50/2024 kishte vendosur vazhdimin e paraburgimit për një periudhë dy mujore, deri më 03 maj 2026. Ndërsa Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë.
Kundër këtyre vendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte paraqitur mbrojtësi i njërit prej të pandehurve, por Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet ishin të pabazuara.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se nga provat e administruara ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, i përfshirë në trafikimin e narkotikëve. Si prova u përmendën komunikime të siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, transkripte bisedash, si dhe lëvizje e kontakte mes të dyshuarve.
Gjykata po ashtu konstatoi ekzistimin e rrezikut të ikjes, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, sanksionet e mundshme, si dhe faktin se disa prej të pandehurve dyshohet se kanë përdorur identitete të rreme.
Sipas Supreme, ekziston edhe rreziku i ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe mundësia e koordinimit mes të pandehurve nëse ata do të liheshin në liri, gjë që do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale.
Gjykata theksoi gjithashtu se vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm për shkak të strukturës së dyshuar të grupit kriminal dhe rrezikut të përsëritjes së veprave penale, ndërsa u morën parasysh edhe të dhënat për të kaluarën kriminale të disa prej të pandehurve.
Në fund, Gjykata Supreme konstatoi se nuk ka shkelje esenciale të procedurës penale dhe se masat më të buta alternative nuk janë të mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve gjatë procesit gjyqësor.