Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke hequr tarifën prej 3 eurosh në ditë për personat shoqërues të pacientëve në spitale.
Vendimi është marrë pas padisë së paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila kishte kontestuar ligjshmërinë e dispozitave që parashihnin pagesë për personat shoqërues të pacientëve mbi moshën 15-vjeçare gjatë qëndrimit në institucionet publike shëndetësore.
Sipas aktgjykimit, Gjykata Supreme ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e IKD-së dhe ka shfuqizuar pikën 4 të shtojcës 3 dhe pikën 5 të shtojcës 4 të këtij udhëzimi administrativ.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vlerësuar se Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si pagesë që bëhet nga personat që përfitojnë drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, ndërsa personat shoqërues nuk mund të konsiderohen përfitues të tillë, pasi nuk i nënshtrohen trajtimit mjekësor dhe nuk marrin shërbime diagnostike apo terapeutike.
Gjykata Supreme ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Po ashtu, në aktgjykim theksohet se tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtën e qytetarëve për qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, sidomos duke pasur parasysh se prania e familjarëve në spitale shpesh është e domosdoshme për mbështetjen e pacientëve gjatë hospitalizimit.
Gjykata rikujtoi se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo obligime financiare që nuk janë të parapara me ligj.