Gjykata Supreme ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të Ministrisë së Financave për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.

Kjo pas kërkesëpadisë nga kompania Enternet Shpk dhe Konsorciumi Service Global, të cilat kishin pretenduar se me këtë udhëzim janë cenuar të drejtat dhe interesat e tyre ligjore.

Ky udhëzim administrativ i cili ishte nxjerrë në ditën kur Hekuran Murati kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Financave është shpallur në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese.

Megjithatë Supremja, në vendimin që e ka siguruar televizioni Dukagjini, nuk është marrë shumë me përmbajtjen e udhëzimit, por me pjesën se ky udhëzim ishte nënshkruar nga një deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Gjithashtu, në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të Ligjit në fjalë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja. Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”,  thuhet në vendimin e Supremes.

Tutje në vendimin e kësaj gjykate thuhet se ku udhëzim është nxjerrë edhe pa miratim të qeverisë, çka është shkelje e Ligjit për qeverinë.

“Në të njëjtën kohë, Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025, është nxjerrë pa miratimin e Qeverisë, në shkelje të nenit 11 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë, i cili përcakton kompetencat ministrive për propozimin e akteve nënligjore normative me karakter të përgjithshëm për miratim nga ana e Qeverisë. Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet në shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës, të cilat ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë.”

Ky udhëzim administrativ ishte nënshkruar më 15 prill të këtij viti, dhe i njëjti parashihte pezullimin për 60 ditë të shitjes dhe abonimeve të arkave fiskale, me qëllim të digjitalizimit.