Operacioni “Luani që Ngrihet” i Izraelit kundër Iranit, i nisur herët të premten në Lindjen e Mesme, përfaqëson një evolucion në mënyrën se si shtetet demokratike mund të përgatiten dhe të zbatojnë operacione parandaluese ndaj kundërshtarëve të fuqishëm.

Duke bashkuar vite të tëra përgatitjeje inteligjente me aftësi të avancuara të forcave speciale, Izraeli arriti një surprizë strategjike dhe efekt shkatërrues ndaj programit bërthamor të Iranit dhe udhëheqjes së tij ushtarake, pavarësisht tensioneve në rritje ndër vite e muaj. Ky operacion ofron mësime thelbësore për planifikuesit ushtarakë perëndimorë që përballen me sfida të ngjashme nga kundërshtarë të rangut të njëjtë, të cilët zotërojnë mbrojtje ajrore të avancuar, ambicie bërthamore dhe kontroll totalitar.

Sigurisht, sulmi i Izraelit ndaj Iranit të premten ndodhi në rrethana relativisht të favorshme—mbrojtje ajrore tashmë e dëmtuar, forca përfaqësuese të neutralizuara dhe pa ndonjë mjet parandalues bërthamor aktiv—gjë që e bën të vështirë krahasimin e drejtpërdrejtë me sulme parandaluese ndaj fuqive të vërteta si Rusia apo Kina. Megjithatë, konceptet e përdorura mbeten të vlefshme dhe meritojnë vëmendje, ndërsa ushtritë perëndimore kërkojnë alternativa jokonvencionale për t’u përballur me kërcënimet që po shfaqen.

Anatomia e një surprize

Agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, kishte kontrabanduar armë brenda territorit iranian përpara sulmeve të së premtes, duke ngritur një bazë operacionale prej nga u lëshuan në mënyrë të telekomanduar dronë të mbushur me eksplozivë, si dhe duke vendosur armë precize me rreze të shkurtër pranë sistemeve kritike të raketave tokë-ajër. Kjo përgatitje shumëvjeçare mundësoi, sipas zyrtarëve izraelitë, një fushatë të koordinuar që synoi me saktësi shkatërruese objektivat kyç të Iranit: impiantin kryesor të pasurimit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë dhe udhëheqësit ushtarakë, si dhe pjesë të programit të raketave balistike.

Kjo qasje me tre drejtime dëshmon një planifikim të sofistikuar, të cilin inteligjenca perëndimore dhe forcat speciale (SOF) duhet ta studiojnë me kujdes.

Së pari, njësitë komando të Mossad-it vendosën sisteme armësh me precizion të lartë pranë instalimeve iraniane të raketave tokë-ajër, të cilat u aktivizuan menjëherë para sulmeve ajrore të Forcës Ajrore të Izraelit, duke çaktivizuar mbrojtjen e Teheranit në një moment vendimtar.

Së dyti, pajisje të specializuara dhe municione u vendosën në mënyrë të fshehtë në disa zona të Iranit për të kryer një gamë të plotë sulmesh që çuan në neutralizimin efektiv të udhëheqjes ushtarake iraniane.

Së treti, baza për dronë shpërthyes u krijuan thellë brenda territorit iranian për të goditur sistemet ofensive raketore të Iranit në vendndodhje strategjike, me qëllim që t’i mohohej Teheranit aftësia për të reaguar menjëherë.

Fuqia e municioneve të vendosura paraprakisht

Aspekti më befasues i Operacionit “Luani që Ngrihet” ishte aftësia e Izraelit për të arritur surprizë taktike përmes aseteve të pozicionuara paraprakisht, dhe jo duke u mbështetur vetëm në armë me rreze të largët apo goditje të drejtpërdrejta. Sipas burimeve të sigurisë izraelite, operativët e Mossad-it kishin ngritur baza të dronëve dhe raketave “në vende të hapura, jo larg sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit” dhe kishin përdorur platforma armësh të bazuara në automjete në të gjithë vendin. Kjo qasje i lejoi mbi dyqind avionëve izraelitë të lëshonin më shumë se 330 municione mbi rreth njëqind objektiva gjatë sulmeve të para, duke u përballur me një mbrojtje ajrore të dobësuar.

Logjika strategjike ndjek parimet e operacioneve speciale të suksesshme nga konflikte të mëparshme. Siç kam shkruar së fundmi për përvojën e Ukrainës kundër Rusisë, shtyllat kryesore të operacioneve speciale në thellësi mbeten të pandryshuara: “elementi i surprizës i arritur përmes sigurisë operacionale dhe devijimit të vëmendjes; goditja e aseteve me vlerë të lartë dhe të mbrojtura lehtë në prapavijën e armikut; dhe ndikimi psikologjik që tejkalon shumë dëmin taktik të shkaktuar.” Strategjia izraelite e pozicionimit paraprak i realizoi të tria këto në të njëjtën kohë.

Neutralizimi i udhëheqjes përmes ndërthurjes së inteligjencës

Operacioni arriti me sukses eliminimin e udhëheqjes së lartë ushtarake të Iranit, përfshirë komandantin e Gardës Revolucionare Islamike Hossein Salami, Shefin e Shtabit Mohammad Hossein Bagheri, komandantin e Forcave të Emergjencës Gholam Rashid, si dhe disa shkencëtarë bërthamorë. Kjo përfaqëson një nga goditjet më të suksesshme të tipit “decapitation” (neutralizim i udhëheqjes) në luftërat moderne, duke treguar se si përgatitja inteligjente mundëson objektiva kirurgjikale ndaj strukturave komanduese.

Metodologjia e përzgjedhjes së objektivave është rezultat i viteve të tëra përgatitjeje të inteligjencës. Zyrtarët izraelitë hartuan dosje të detajuara për figurat kryesore të mbrojtjes iraniane dhe shkencëtarët bërthamorë, duke mundësuar vrasje precize të targetuara, krahas një fushate të koordinuar për të neutralizuar sistemin strategjik të raketave të Iranit përmes sulmeve ajrore dhe operacioneve në mbulim të thellë.

Kjo qasje gjithëpërfshirëse—duke kombinuar inteligjencën njerëzore (HUMINT), grumbullimin teknik të të dhënave dhe përgatitjen operacionale—ofron një model të vlefshëm për operacionet e ardhshme kundër kundërshtarëve të nivelit të barabartë.

Shtypja asimetrike e mbrojtjes ajrore

Ndoshta aspekti më domethënës nga pikëpamja operacionale ishte qasja inovative e Izraelit për shtypjen e mbrojtjes ajrore iraniane. Në vend që të mbështetej vetëm në misionet ajrore konvencionale për shtypjen e mbrojtjes ajrore të armikut (SEAD), Izraeli përdori sisteme të pozicionuara paraprakisht për të kryer goditje precize në të njëjtën kohë ndaj objektivave të caktuara, me një saktësi të jashtëzakonshme. Teknologjitë e avancuara u montuan në automjete dhe u përdorën për të shkatërruar plotësisht objektivat e mbrojtjes ajrore iraniane që në fillim të sulmit.

Kjo qasje i mundësoi avionëve izraelitë të fitonin epërsi ajrore dhe liri veprimi gjatë valëve pasuese të operacionit. Metodologjia dëshmon se si operacionet speciale mund të krijojnë dritare të përkohshme të cenueshmërisë brenda rrjeteve të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, të cilat më pas mund të shfrytëzohen nga forcat konvencionale. Teksa Perëndimi përballet me kapacitetet gjithnjë e më të fuqishme të Kinës për të kufizuar aksesin dhe manovrën ushtarake në rajonin e Paqësorit Perëndimor (anti-access/area denial), forcat speciale mund të ndjekin qasje të ngjashme për të penguar Pekinin të izolojë Tajvanin, Japoninë apo Filipinet përmes sistemeve të raketave kundërajrore me rreze të gjatë.

Elementi i surprizës strategjike

Aftësia më e jashtëzakonshme e këtij operacioni mund të jetë fakti se ai arriti surprizë strategjike, pavarësisht pritshmërive të përhapura për një veprim të mundshëm izraelit. Raporte të shumta gjatë ditëve të fundit sugjeronin se zyrtarët amerikanë besonin që Izraeli mund të ishte duke u përgatitur për të goditur Iranin, me personel amerikan të evakuuar nga rajoni dhe paralajmërime diplomatike për mundësi ngjarjesh me viktima masive. Megjithatë, Irani u duk i papërgatitur për shkallën dhe koordinimin e sulmit të vërtetë.

Kjo sugjeron se surpriza strategjike në luftën moderne varet më pak nga fshehja e synimeve dhe më shumë nga fshehja e kapaciteteve dhe kohës së veprimit. Faza shumëvjeçare e përgatitjeve të Izraelit bëri të mundur një surprizë operacionale edhe kur qëllimet strategjike ishin të qarta për të gjitha palët. Siç deklaroi një zyrtar i sigurisë izraelite për Times of Israel, misioni u bazua në “të menduar novator, planifikim të guximshëm dhe përdorim kirurgjikal të teknologjive të avancuara, forcave speciale dhe agjentëve që operonin në zemër të Iranit duke shmangur sytë e inteligjencës vendase.”

Më konkretisht, planifikuesit e mbrojtjes në Perëndim duhet të mbajnë parasysh gjashtë mësime thelbësore.

1.            Operacioni tregon se si bashkëveprimi afatgjatë midis inteligjencës dhe forcave speciale (SOF) mund të shërbejë si mjet parandalues, ndërkohë që ofron opsione të fuqishme në rast se parandalimi dështon. Aftësia e Izraelit për të pozicionuar paraprakisht asetet dhe për të zhvilluar paketa të detajuara të objektivave me gjasë ka ndikuar për vite të tëra në vendimmarrjen iraniane përpara sulmit real. Kur parandalimi përfundimisht dështoi, këto përgatitje mundësuan një veprim vendimtar në vend të një përshkallëzimi gradual.

2.            Përdorimi i teknologjive, që nga raketat precize e deri te dronët shpërthyes dhe platformat e armëve të montuara në automjete, tregon se aftësitë moderne mund ta forcojnë, jo ta zëvendësojnë, logjikën klasike të operacioneve speciale. Operacioni i fundit i Ukrainës, “Rrjeta e Merimangës” (“Operation Spiderweb”), dëshmon njësoj, siç kam shkruar së fundmi: “evolucioni teknologjik, nga bombat Lewes te dronët precizë, maskon vazhdimësinë më të thellë të të menduarit operativ në operacionet speciale.” SOF duhet të vazhdojë të inovojë për të ruajtur kapacitetin për surprizë strategjike.

3.            Sulmet e Izraelit ofrojnë një model për mënyrën se si shërbimet e inteligjencës dhe forcat speciale, përmes përgatitjes operacionale të mëparshme, mund të furnizojnë udhëheqjen kombëtare me opsione të fuqishme. Ky vetëbesim duket se është ndërtuar mbi përgatitje të gjera dhe kapacitete të shumta rezervë që mundësuan sulme të koordinuara ndaj objekteve të shumta bërthamore iraniane, ndërkohë që u synuan njëkohësisht strukturat komanduese ushtarake.

4.            Shtetet perëndimore duhet të japin përparësi bashkërendimit ndërmjet inteligjencës dhe forcave speciale për të mundësuar përgatitje afatgjata operative në zonat e mundshme të konfliktit. Kjo kërkon investime të vazhdueshme në kapacitetet e inteligjencës njerëzore (HUMINT), në sistemet e mbledhjes teknike të të dhënave, si dhe në njësi të forcave speciale të trajnuara për operacione autonome, të zgjatura, në zona të ndaluara.

5.            Suksesi i hershëm i Izraelit, pavarësisht tensioneve të dukshme, tregon se siguria operative mbetet e arritshme edhe nën një vëzhgim intensiv. Ky sukses u mbështet në bashkëpunimin e ngushtë shumëvjeçar midis Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe agjencisë së inteligjencës Mossad, duke treguar se ndarja e informacionit dhe disiplina operacionale mund ta ruajnë surprizën edhe në mjedise të monitoruara rëndë.

6.            Ky operacion vë në provë vlerën e parandalimit përmes sulmeve parandaluese. Nëse kundërsulmet e Iranit dështojnë të prodhojnë një ndikim domethënës, sulmi i Izraelit mund të shërbejë si shembull se si një veprim i përgatitur mirë dhe i menjëhershëm mund të përfundojë një konflikt në kushte të favorshme, në vend që ta nxisë atë. Duke goditur njëkohësisht programin bërthamor të Iranit, kapacitetet raketore dhe udhëheqjen ushtarake, Izraeli duket se ka dobësuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të përballuar një konflikt të zgjatur, ndërsa ka realizuar objektivat kryesore të sigurisë kombëtare.

Deklarata e Kryeministrit Benjamin Netanyahu se operacioni do të vazhdojë “për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar këtë kërcënim” tregon besim në kapacitete të qëndrueshme dhe jo në një sulm të vetëm e të izoluar. Edhe pse Teherani u kundërpërgjigj të premten me dronë dhe raketa, të cilat shkaktuan vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në Izrael, mbetet për t’u parë sa efektive do të jenë këto kundërpërgjigje duke pasur parasysh gjendjen tashmë të degraduar të kapaciteteve të regjimit.

Operacioni “Luani që Ngrihet” përfaqëson një evolucion të parimeve moderne të operacioneve speciale, të vendosura që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të përpunuara gjatë dekadave të luftës jo-konvencionale. Integrimi i përgatitjes shumëvjeçare të inteligjencës, pozicionimit paraprak të kapaciteteve dhe përcaktimit të koordinuar të objektivave dëshmon se si shtetet demokratike mund të arrijnë surprizë strategjike ndaj kundërshtarëve të barabartë edhe në mjedise sigurie të monitoruara nga afër.

Për planifikuesit ushtarakë perëndimorë, ky operacion ofron si frymëzim ashtu edhe udhëzim. Sfida nuk qëndron në riprodhimin e aftësive izraelite, por në zhvillimin e një bashkëpunimi të ngjashëm ndërmjet inteligjencës dhe forcave speciale, që t’i ofrojë udhëheqjes kombëtare opsione të fuqishme në të gjitha nivelet e konfliktit. Ndryshe nga Irani, si Kina ashtu edhe Rusia zotërojnë arsenale bërthamore të mëdha dhe të qëndrueshme, gjë që rrit ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit në çdo goditje parandaluese apo “decapitation”, edhe nëse fillimisht respektohen kufijtë konvencionalë. Teksa tensionet me kundërshtarë të këtij rangu vazhdojnë të shtohen, aftësia për të realizuar surprizë strategjike përmes përgatitjes së duruar, e jo përshkallëzimit të menjëhershëm, mund të bëhet vendimtare.

Luftëtarët grekë që u fshehën brenda Kalit të Trojës përpara se të dilnin dhe të hapnin portat e qytetit do ta njihnin logjikën operacionale të përdorur nga forcat speciale të ditëve të sotme, edhe pse jo teknologjinë. Surpriza strategjike, e arritur përmes përgatitjes së kujdesshme, ekzekutimit të guximshëm dhe një qëllimi të qartë, mbetet themeli i operacioneve speciale efektive. Ajo që Izraeli ka arritur është të tregojë se këto parime të përjetshme mund të përshtaten për t’u përballur me kërcënimet e shekullit XXI, duke ofruar modele për shtetet demokratike që përballen me sfida të ngjashme nga regjime autoritare.

Mësimi për luftën e ardhshme jo-konvencionale është i qartë: Kur përballesh me kundërshtarë të barabartë që zotërojnë kapacitete të avancuara dhe ambicie bërthamore, përgatitja inteligjente afatgjatë e kombinuar me operacione speciale inovative mund të prodhojë efekte që parandalimi klasik nuk mund t’i garantojë. Investimi në këto kapacitete mund të bëjë diferencën ndërmjet menaxhimit të konfliktit dhe fitores vendimtare.

Doug Livermore është drejtor i angazhimeve në Iniciativën për Luftën Jo-Konvencionale (Irregular Warfare Initiative), anëtar i Grupit për Kundërterrorizëm pranë Këshillit Atlantik, nënkryetar kombëtar i Shoqatës së Operacioneve Speciale të Amerikës, drejtor kombëtar për komunikimin e jashtëm në Shoqatën e Forcave Speciale, si dhe komandant zëvendësues në Njësinë e Operacioneve Speciale – Komanda e Përbashkët e Operacioneve Speciale (Joint Special Operations Command) të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Karolinës së Veriut. Ai ka qenë zyrtar i lartë civil në qeverinë amerikane, oficer i inteligjencës dhe kontraktor në role të ndryshme pranë Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes, Departamentit të Marinës dhe Departamentit të Ushtrisë.

Shkruar për “Atlantic Council“, përkthyer dhe përshtatur për Dukagjinin.