Surroi: Debati se kush dhe pse e ka nënshkruar Asociacionin ka përfunduar, duhet të merremi me pasojat
Publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në negociatat e Vjenës dhe në Rambuje, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është në fazën negociatore, dhe, sipas tij, debati se kush e ka nënshkruar dhe pse e ka nënshkruar Asociacionin ka përfunduar. Surroi i ftuar në emsionin Debat Plus, ka thënë se pasojat […]
Publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në negociatat e Vjenës dhe në Rambuje, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është në fazën negociatore, dhe, sipas tij, debati se kush e ka nënshkruar dhe pse e ka nënshkruar Asociacionin ka përfunduar.
Surroi i ftuar në emsionin Debat Plus, ka thënë se pasojat e këtyre nënshkrimeve në lidhje me Asociacionin të Komunave me shumicë serbe, janë futur në procesin negociator që Kosova duhet të merret dhe jo me pyetjet se kush e ka sjellë atë.
“Jemi në fazën tjetër negociatore, treni ka filluar, ka ecur, debati nuk zhvillohet se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, sepse ai debat ka përfunduar, kush e ka nënshkruar, pse e ka nënshkruar, i kemi pasojat e këtyre nënshkrimeve dhe duhet të merremi me pasojat e tyre. Dhe ato pasoja janë futur në procesin negociator dhe duhet t’i menaxhojmë në procesin negociator”, ka deklaruar ai.
Prandaj, sipas tij, çështja është tash se si t’i zbërthejnë këto në një projekt, i cili funksionon nga njëra anë dhe si të arrihet një dakordim me bashkësinë ndërkombëtare për të.
Nga ana tjetër, ai ka thënë se është shumë me rëndësi të arrihet një dakordim brenda vendit, pasi, sipas tij, çështjet e Asociacionit dhe çështjet të tjera si për shembull e Kishës Ortodokse Serbe, “kërkojnë që pushteti dhe opozita të ulën bashkë dhe që të koordinohen që të bashkëpunojnë që të marrin disa qëndrime dhe nëse duhet të marrin bashkëpërgjegjësi”.
Ndërkaq, sipas publicistit Surroi, çështja e Asociacionit nuk duhet të injorohet nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin është antikushtetuese, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se duhet të injorohet.
Surroi është i mendimit se Kosova duhet të ndërtojë alternativa të tjera.
“Ideja se ne themi se s’do merremi me Asociaocnin sepse është antikushtetues, dhe është, fakti i tillë nuk do të thotë se nuk duhet të merremi me të. Është kauzë juridike dhe politike dhe duhet ta mbrojmë duke ndërtuar alternativë për të”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai është shprehur se marrëveshja për Asociacionin nuk është ndërkombëtare për shkak se nuk është ratifikuar në Kuvendin e Serbisë.
Por, sipas tij, kjo nuk e amniston Kosovën nga përgjegjësia politike, për shkak të votës së Kuvendit, i cili e miratoi si marrëveshje ndërkombëtare.















