Surroi: Duhet të ketë një marrëveshje themelore ndërmjet Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe
Publicisti Veton Surroi në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova duhet ta ketë një marrëveshje me Bashkësitë Fetare të Kosovës, ashtu siç kanë bërë vendet që kanë dalë nga komunizmi, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë shteti i përligj marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare në Kosovë. Më tej, Surroi ka propozuar se […]
Publicisti Veton Surroi në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova duhet ta ketë një marrëveshje me Bashkësitë Fetare të Kosovës, ashtu siç kanë bërë vendet që kanë dalë nga komunizmi, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë shteti i përligj marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare në Kosovë.
Më tej, Surroi ka propozuar se Kosova duhet ta ketë një marrëveshje themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
“Pra, dhe Kosova duhet ta themelojë marrëveshjen themelore me Bashkësitë Fetare, të cilat janë tradicionale në Kosovë. Duhet ta ketë një marrëveshje themelore me Kishin Ortodokse Serbe. Pra, Republika e Kosovës dhe Kisha Ortodokse Serbe duhet t’i përligjin relacionet e veta, njëkohësisht me përligjen e marrëdhënieve me Vatikanin dhe njëkohësisht përligjen e marrëdhënieve me Bashkësinë Islame të Kosovës”, ka sqaruar Surroi.
Më tej, publicisti ka treguar se vendet që kanë bërë një gjë të tillë janë të gjitha vendet që kanë dalë nga regjimi komunist, duke marrë shembull Kroacinë dhe Malin i Zi, që kanë arritur marrëveshje themelore me Vatikanin.
“Do të ishte në të mirën e Kosovës dhe relacioneve të veta me Kishën Katolike, që të ketë një marrëveshje me Vatikanin, një marrëveshje themelore të marrëdhënies ndërmjet shtetit edhe Kishës. Kjo është diçka që u ndodh të gjitha shtetet, po ashtu edhe të gjitha shtetet e dala nga regjimi komunist kanë krijuar kontrata të tillë, dy shtete të cilat e kanë bërë këtë në mënyrë imediate kanë qenë Kroacia dhe Mali i Zi, të cilat kanë krijuar marrëveshje me Vatikanin”, ka përfunduar Surroi.















