Surroi tregon dallimet e ngjashmëritë mes negociatave politike të së kaluarës dhe të tashmes
Publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në negociatat e Vjenës dhe në Rambuje, ka treguar për dallimet dhe ngjashmëritë mes negociatave të së kaluarës dhe së tashmes, lidhur me çështjen Kosovë – Serbi. Surroi e komentoi deklaratën e Kurtit, i cili ditë më parë tha se ndërkombëtarët i kanë ofruar […]
Publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në negociatat e Vjenës dhe në Rambuje, ka treguar për dallimet dhe ngjashmëritë mes negociatave të së kaluarës dhe së tashmes, lidhur me çështjen Kosovë – Serbi.
Surroi e komentoi deklaratën e Kurtit, i cili ditë më parë tha se ndërkombëtarët i kanë ofruar një marrëveshje “lëre ose merre”.
Ai në Debat Plus, ka thënë se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në të kaluarën në Rambuje dhe në Vjenë.
Por, sipas tij, formati i tyre nuk ka pasur vazhdimësi të njëjtë edhe në negociatat e Brukselit.
“Kosova ka hyrë në proces negociator me parime të panegociueshme në Rambuje dhe ka hyrë në Vjenë, me ‘merre ose leje’, sepse kanë qenë parime të panegociueshme nga ana e QUINTIT. Ky është kontiniutet i një formati, për fat të keq nuk kanë ekzistuar këto parime në Bruksel, sepse po të kishin ekzistuar procesi do të ishte më serioz”, ka thënë ai.
Surroi theksoi se dizajni i marrëveshjes në të kaluarën është bërë në bazë të parimeve. Sipas tij, në Rambuje është respektuar karta e OSBE-së për mosndryshueshmërinë e kufijve.
“Dizajni i marrëveshjeve bëhet në bazë ta parimeve, në Rambuje ka qenë dizajni i parimeve është respektuar karta e OSBE-së për mosndrysehsumrinë e kufijve, por është thënë se duhet të mbërrihet një nivel adekuat i vetëqeverisjes së Kosovës dhe hapjes së një perspektive të zgjidhjes demokratike”, ka thënë ai.
Edhe në Vjenë, sipas tij, marrëveshja është dizajnuar ashtu që të mos ketë kthim prapa dhe të mos ketë shkëmbim territoresh.
“Në Vjenë kemi pasur këto, vizatimin e asaj se si do të dukej marrëveshja, nuk ka kthim prapa, nuk ka shkëmbim territoresh, duhet të mbërrihet një nivel i pajtueshmërisë, i cili i përmbush nevojat e Kosovës”, ka thënë ai.
Kurse tash, sipas Surroit, nga ndërkombëtarët thuhet se janë dy shtete Kosova dhe Serbia, të cilat nuk kanë gatishmëri ta njohin njëra-tjetrën, por që duhet të ecin përpara në integrimin e BE-së.
“Tash kemi një marrëveshje e cila thotë këto janë dy shtete që nuk kanë gatishmëri ta njohin njëra-tjetrën, por janë dy shtete brenda sistemit ndërkombëtar, me të drejtat e obligimet të kartës së OKB-së, dhe këto dyja kanë të drejtën të ecin rrugës së vet në integrimet evropiane, për ta bërë këtë duhet t’i vendosim këto pika, të cilat mendojmë se ia vlejnë të zgjidhen në parim, pastaj si do të zgjidhen në praktikë është çështje tjetër, tash po hyjmë në zbatim dhe zbatimi duhet të arrihet me marrëveshje”, ka thënë ai.
Sipas tij, të dyja palët i kanë pranuar parimet e marrëveshjes.
“Sot po ta bëjmë një prerje të gjendjes, ajo është se të dyja kanë pranuar, pala ndërmjetëse po e përgatisin takimin e radhës dhe të dyja palët po e përgatisin fazën tjetër, faza tjetër është pozicionet brenda procesit negociator si të tillë, rreth çështjes së Asociacionit dhe të tjerave që janë çështje të parimeve”, ka thënë ai.















