Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është suspenduar një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të Komunës së Leposaviqit.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së kanë filluar një hetim pas publikimit të videoincizimeve të reja në mediumin “Nacionale”, në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.

Me këtë rast, IPK-ja me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor. IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

LEXO EDHE: Prokuroria Themelore e Mitrovicës nis hetimet për narkotikët në komunën e Leposaviqit

Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin që përfshin edhe zyrtarë të lartë të komunës, pas videos së publikuar, ku nënkryetarja serbe e komunës së Leposaviqit dyshohet të konsumonte drogë.