Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbërritur në pikën kufitare në Jarinje.

Siç raporton RTK-ja, Sveçla është nisur me urgjencë për në Jarinje, pas kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë.

Pas ndalimit në Jarinje, ministri Sveçla menjëherë e ka vazhduar rrugën për në Bare, në vendin ku janë kidnapuar tre policët kufitarë të Kosovës nga forcat serbe.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.

Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kufitare të Kosovës nga ana e Njësisë Speciale të Policisë së Serbisë. Ai ka thënë se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që policët të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

Ajo ka theksuar se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

Dhe sipas saj, ky akt dëshmon edhe një herë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ndryshe, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, sipas burimeve të Dukagjinit, janë bllokuar të gjitha mallrat serbe që të hyjnë në Kosovë.