Sveçla e demanton Serbinë: Policia ka detyra të përditshme dhe jo gatishmëri për luftë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka demantuar deklaratat e Qeverisë dhe mediave të Serbisë, kinse Kosova e ka ngritur në gjendje gatishmërie policinë dhe rezervistët e FSK-së. Sveçla, ka thënë se deklaratat e tilla janë pjesë e propagandës së Serbisë dhe Rusisë. “Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka demantuar deklaratat e Qeverisë dhe mediave të Serbisë, kinse Kosova e ka ngritur në gjendje gatishmërie policinë dhe rezervistët e FSK-së.
Sveçla, ka thënë se deklaratat e tilla janë pjesë e propagandës së Serbisë dhe Rusisë.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.
“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”, ka thënë ai.
Sveçla, theksoi se institucionet e Kosovës, janë në koordninim me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që barrikadat të largohen pa pasur pasoja në njerëz, teksa shtoi se Serbia është duke u angazhuar që barrikadat të prodhojnë edhe viktima në mënyrë që situata të dalë jashtë kontrolli.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”, ka thënë ai.
Tutje Sveçla, tha se Serbia po i përdor barrikadat si mjet për ta luftuar sovranitetin e Kosovës.
“Me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës, ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”, ka thënë ai.















