Sveçla e Haxhiu vizitojnë Policinë e Kosovës, kërkohet angazhim në zbardhjen e krimeve të luftës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vizituar të premten Policinë e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me stafin e lartë menaxhues, pritën në takim ministrin Sveçla dhe ministren Haxhiu. Në njoftimin e PK-së thuhet se fokusi i vizitës së ministrave, […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vizituar të premten Policinë e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me stafin e lartë menaxhues, pritën në takim ministrin Sveçla dhe ministren Haxhiu.
Në njoftimin e PK-së thuhet se fokusi i vizitës së ministrave, përveç tjerash, ishte te Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, për të parë nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e kësaj drejtorie në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, të cilët kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë.
“Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e luftës përfshirë dhunën seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, u vlerësua se duhet shtuar edhe më tej angazhimi i përbashkët i hetimit, arrestimit dhe procedimit penal të të gjitha rasteve të krimeve të luftës tek organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në takim është theksuar nevoja për të shtuar angazhimin për hetimin dhe procedimin penal të këtyre rasteve para organeve të drejtësisë.
Ministritë kanë ofruar mbështetje të plotë në këtë drejtim, duke rikonfirmuar vendosmërinë për të siguruar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës.















