Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla së bashku me kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns e kanë vizituar Policinë e Kosovës, ku edhe i ka prezantuar nga afër armatimin e konfiskuar pas sulmit terrorist të Banjskës.

“Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës. Me këtë rast falenderuam edhe sensibilizimin ndërkombëtar që znj. Kearns pati bërë me rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale”, ka njoftuar ministri në Facebook.

Sveçla ka theksuar se qëndrimi i Kearns ka qenë në mbrojtje të së drejtës.

“Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj dhe të së vërtetës”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka përfunduar duke treguar se Kearns gjatë takimit me zyrtarët policorë ka  biseduar “rreth sfidave por dhe mundësive për të kontribuar në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.