Sveçla: Kurrë më parë Policia nuk ka pasur investime më shumë se tani
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të investimeve në fushën e sigurisë në Kosovë. Sipas deklaratave të tij gjatë një seance në Kuvend, buxheti për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) është rritur për 97 për qind, për Policinë e Kosovës 17 për qind, ndërsa […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të investimeve në fushën e sigurisë në Kosovë.
Sipas deklaratave të tij gjatë një seance në Kuvend, buxheti për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) është rritur për 97 për qind, për Policinë e Kosovës 17 për qind, ndërsa për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) 16 për qind.
Një nga përmirësimet më të rëndësishme, sipas tij, është rritja e buxhetit për investimet kapitale në Policinë e Kosovës, që është tani mbi 20 milionë euro, një shifër shumë e lartë, sipas tij, krahasuar me vitin paraprak.
Sveçla ka theksuar se ky fond do të përdoret për t’i përmirësuar pajisjet policore dhe operacionet speciale.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka rritje të buxhetit për 97 për qind në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, për Policinë e Kosovës 17 për qind, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16 për qind… Totali në investimet kapitale është 5.8 milionë, rritje prej 3.8 milionësh në AME. Në Policinë e Kosovës, buxheti i investimeve kapitale është 21.7 milionë për dallim prej vitit 2023, kur ka qenë 12.7 milionë euro. Pa e harruar faktin se kemi pasur 9 milionë euro shtesë të miratuara nga qeveria për investimet në pajisjet policore, për operacione speciale, të cilat tashmë janë realizuar”, ka deklaruar Sveçla.
Në seancën e Kuvendit, ministri Sveçla gjithashtu ka bërë të ditur se janë paraparë investime në sigurinë kibernetike, me një buxhet prej 4.5 milionë eurosh për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Kjo shifër, siç ka thënë ai, është 700 mijë euro më shumë se buxheti i vitit paraprak.
Në lidhje me Agjencinë Kosovare të Forenzikës, ministri Sveçla ka deklaruar se buxheti për këtë agjenci është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke u përqendruar në investimet kapitale për pajisjet laboratorike dhe automjete të specializuara.
Ministri gjithashtu ka shtuar se totali i buxhetit për Agjencinë Kosovare të Forenzikës është tani 1.7 milionë euro.
“Në çështjen e sigurisë kibernetike, ne kemi planifikuar 4.5 milionë investime kapitale në ASHI, që janë 700 mijë euro më shumë sesa në vitin paraprak. Tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë, totali i buxhetit për Agjencinë Kosovare të Forenzikës është 1.7 milionë euro, që i bie rritje në investimet kapitale për pajisjet laboratorike dhe automjete të specializuara në 371 mijë euro”, është shprehur ai.
“Në vitin 2023, në buxhet kanë qenë të parapara 12 milionë e 667 mijë, kurse në vitin 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro, kjo është rritja më e madhe ndonjëherë…Kurrë më herët, këtë standard këto pajisje, këtë investim Policia e Kosovës nuk e ka gëzuar më shumë sesa vitin e kaluar se që planifikohet për vitin e ardhshëm”, ka theksuar tutje Sveçla.
Për të mbrojtur sigurinë publike, ministri Sveçla ka shtuar se janë blerë më shumë autoblinda se kurrë më parë, duke theksuar përmirësimin e kapaciteteve dhe përgjegjshmërisë së Policisë së Kosovës.















