Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër zgjedhjeve në veri sepse e ka humbur përkrahjen e qytetarëve serbë.

Ai ka thënë se këtë e thonë sondazhet kredibile dhe ndërkombëtare.

“Pse një listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit e humbja e përkrahur, ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk guxojmë të biem në shantazh, cka do të thotë, nuk mund të presim që Lista Serbe të na thotë a të mbajmë zgjedhje apo jo. Një nga arsyet që nuk janë për zgjedhje, është se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen, këtë e thonë sondazhet, sondazhe kredibile edhe ndërkombëtare. Lista Serbe ka humbur përkrahjen, unë kam qenë dje atje”, ka thënë Sveçla, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.

Përveç mospjesëmarrjes së Listës Serbe, Sveçla ka thënë se nuk është arsye që zgjedhjet të mos mbahen në veri, edhe për shkak të sjelljeve të disa bandave kriminale.

Sipas tij, sa i takon çështjes së zgjedhjeve. Policia e Kosovës, por edhe gjithë Ministria, është në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në mënyrë që siç theksoi ai, zgjedhjet e 23 prillit të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

“Ne jemi në dispozicion të KQZ-së për cdo gjë. E vlerësojmë që nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljeve të disa bandave kriminale dhe mospjesëmarrjes së Listës Serbe. Është e qartë që segmente të caktuara të mbështetura nga Serbia, e refuzojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë atje. Ne kemi obligim që qytetarëve t’u ofrojmë mundësinë për jetë të qetë dhe rregullim demokratik”, ka vijuar ai.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë caktuar të mbahen më 23 prill.