Pos pamjeve të qarta të siguruara  nga Policia e Kosovës të përfshirjes së Milan Radojciq-it në aksionin terrorist të së dielës, tashmë po dalin fakte të reja nga gjithë ai aksion që e lidhin direkt shtetin serb me sulmin terrorist.

Policia e Kosovës gjatë bastisjeve që përfunduan mbrëmjen e së martës kanë siguruar dokumente e informata të reja nga atje.

Një dokument i publikuar nga Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Svecla shihet që shteti serb ka dhënë grupit kriminal lansuesin e granatave.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka thënë ministri Sveçla.

Pos kësaj, është kuptuar edhe identiteti i një pjesmarrësi tjetër në grupin kriminal, i cili kishte mbetur edhe vrarë nga Policia e Kosovës.

E ai doli të jetë Bojan Mijailoviq, turpëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka thënë Sveçla.

Sveçla, gjatë së martës publikoi videon ku shihej Milan Radoiçiq  në mesin e terroristëve në hapësirat e Manastirit të Banjskës, ndërsa ka kërkuar nga shteti i Serbisë që t’i dorëzojë të dyshuarit që janë duke u trajtuar në spitalet e saj.