Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e sigurisë në Kosovë po vazhdojnë pa asnjë kompromis luftën kundër aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë publike dhe rendin kushtetues.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan është zhvilluar një operacion policor ku është zbuluar një punëtori ku modifikoheshin armë të llojeve të ndryshme.

Në këtë lokacion, si dhe në vende të tjera të bastisura, janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje për modifikimin e armëve.

Ministri theksoi se veprimtaritë e tilla, veçanërisht ato që kanë për qëllim pengimin e punës së zyrtarëve të rendit, do të luftohen deri në fund.

Ai kërkoi dënime meritore për të gjithë të përfshirët, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të sigurisë për qytetarët e Kosovës.