Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një shtetasi serb në pikën kufitare në veri të cilit i janë gjetur në veturë mbi 6300 copë fishekë.

Sveçla e ka quajtur këtë një akt luftimi të kriminalitetit dhe është shprehur se “Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë”.

Ai ndër të tjera ka theksuar se do të vazhdohet angazhimi për luftimin e kriminaliteteve që mund të cënojnë sigurinë e  vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa, gjithë reagimin e  tij e ka nisur duke iu drejtuar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke thënë “Përderisa Vucic flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”.