Sveçla për vërshimet nga reshjet e shiut: Zona e Dukagjinit ka pësuar dëme të ndryshme, qytetarët të shtojnë kujdesin

Vërshimet





Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas reshjeve të dendura të shiut, nga të cilat disa komuna janë përballur me vërshime, ka thënë se zona e Dukagjinit ka pësuar dëme të ndryshme.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka bërë thirrje për kujdes të shtuar.

“Ekipet e menaxhimit të emergjencave që nga orët e hershme të mëngjesit janë në teren dhe kanë reaguar në të gjitha rastet e evidentuara. Sapo kam pranuar raportin nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave rreth gjendjes së krijuar me ç’rast konfirmohet se në zonën e Dukagjinit kemi dëme të ndryshme nga vërshimet”, ka shkruar ai.

Aktualisht, sipas Sveçlës situata është duke u menaxhuar dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga Qendrat Emergjente në të gjitha komunat.

“Përballë kësaj situate të krijuar, ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar. Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie andaj ju lus të kontaktoni përmes numrit emergjent 112 rreth çdo vështirësie me të cilën mund të përballeni”, shtoi ai.

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka bërë thirrje që uji i pijes të vlohet para se të konsumohet.

Me anë të një njoftimi për media, teksa kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë vërshimeve, kjo kompani ka bërë të ditur se reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që toka të përmbytet nga uji e me të edhe pusetat e ujëmatësve dhe pustetat tjera të jenë të mbushura me ujë të ndotur.

“Në një situatë të tillë ka mundësi që uji i shiut nga pusetat tuaja të depërtojë përmes ndonjë vrime potenciale në rrjetin tuaj të furnizimit. Në këtë rast uji i pijes të cilin e konsumoni ju mund të kontaminohet me ujë të papastër. Prandaj në këso situate rekomandohet që uji i pijes të vlohet para përdorimit në mënyrë që të shmangen situata të pa dëshirueshme”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në rast se vërehet se uji i pijes është i turbult, sipas kësaj kompanie rekomandohet që i njëjti të mos përdoret për pije.

“Po ashtu, lusim të gjithë ata konsumator të cilët posedojnë furnizim të dyfisht; ujësjellës dhe pus (bunar) të sigurohen që uji nga pusi mos të kthehet në sistem të ujësjellësit pasi që i njëjti mund të ndikoj në kontaminimin e ujit të pijes jo vetëm tek shfrytëzuesi por edhe tek fqinjët e tyre”, vijon njoftimi.

Po ashtu, është bërë e ditur se si pasojë e dëmtimit të gypit kryesor furnizues, pa ujë të pijes kanë mbetur fshatrat: Nedakoc, Sfaraqak, Pestovë, Novosellë, Lum i Madh, Stanofc Epërm dhe Stanofc i Ulët.

“Riparimi i gypit të dëmtuar parashihet të fillojë nesër në mëngjes dhe shpresojmë që deri në orët e pasditës të sanohet problemi dhe të rikthehet furnizmi me ujë të pijes për këto fshatra”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, ka bërë thirrje drejt konsumatorëve që të mos konsumojnë ujë pa e vluar atë.

Me anë të një komunikate për media, nga KRU “Hidrodrini”, thonë se në bazë të raporteve nga terreni thirrja vlen posaçërisht për zonën e Istogut, Deçanit dhe Klinës.

Kjo si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e shtunë.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika