Sveçla: Sulmet po vazhdojnë nga persona të pajisur ushtarakisht, janë të dirigjuar nga Beogradi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet kriminale nga sulmet e të cilave u vra një polic i Kosovës sot në veri, janë të dirigjuara nga Beogradi. Ai bëri të ditur se njësiti i Policisë së Kosovës është zënë në pritë nga këto grupe kriminale, ku edhe ka mbetur i vdekur […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet kriminale nga sulmet e të cilave u vra një polic i Kosovës sot në veri, janë të dirigjuara nga Beogradi.
Ai bëri të ditur se njësiti i Policisë së Kosovës është zënë në pritë nga këto grupe kriminale, ku edhe ka mbetur i vdekur polici Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë janë plagosur.
“Grupet kriminale të organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitet policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur, gjendja e të cilëve është stabile”, tha ai.
Ai njoftoi se njësitet policore të Kosovës po sulmohen kohë pas kohe nga grupet e armatosura serbe.
Po ashtu, ai bëri të ditur se ky grup i armatosur është rrethuar nga Policia e Kosovës, derisa u ka bërë thirrje të dorëzohen.
“Njësitet tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë.
Një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska, dhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren, këta terroristë janë të rrethuar nga njësitet policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”, tha ai.
Sveçla i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, Afrim Bunjaku.















