Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Cemil Tugay me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit, me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Sveçla ka shkruar se kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Kisha kënaqësinë të pres në takim Kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, me rastin e vizitës së tij në Republikën e Kosovës.
Në kuadër të raporteve të shkëlqyera dhe miqësisë së veçantë që lidh vendin tonë dhe Bashkinë e Izmirit, diskutuam për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit, me fokus të veçantë në fushën e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona.
Theksuam rëndësinë e zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me qytetet dhe popujt tanë, në frymën e miqësisë dhe partneritetit të ndërsjellë”, ka shkruar Sveçla.