Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me eprorët e Policisë së Istogut dhe Njësitin e Hetimeve Rajonale nga Peja, e ka vizituar shtëpinë e djegur të qytetarit të komunitetit serb nga fshati Veriq.

Ai ka kërkuar që të gjitha instancat e nevojshme të angazhohen në mënyrë që rasti të zbardhet sa më parë.

“Kam kërkuar që të gjitha resurset e nevojshme të angazhohen në mënyrë që rasti të zbardhet sa më parë, ndërkaq edhe një herë i ofrova Policisë gatishmërinë e plotë për të ndihmuar në lidhje me këtë rast. Republika e Kosovës është dhe do të mbetet demokratike, vend ku jetojnë qytetarët të lirë e të barabartë, pa asnjë dallim përkatësie a prejardhje. Dhe për këto vlera do të jemi të pakompromis”, ka thënë ai.

Djegien e shtëpisë e ka dënuar edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Po ashtu, ka reaguar edhe misioni i BE-së në Kosovë.