Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar tre policët të cilët janë duke u trajtuar në QKUK, pas aksidentit të mbrëmshëm në veri.
Sveçla së bashku me Vitin kanë takuar mjekët që po përkujdesën për shëndetin dhe trajtimin e tyre.
Madje, ai ka falënderuar mjekët për kujdesin dhe trajtimin për rikuperimin e policëve.
Ministri ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.
“Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre.Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional. Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre. Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin që ndodhi mbrëmë në veri të vendit, ku mbetën të lënduar tetë pjesëtarë të policisw.
Në raportin 24-orësh thuhet se polici që drejtonte automjetin e ka humbur kontrollin mbi të dhe ka dalë jashtë rrugës dhe si pasojë, lëndime ka marrë vetë ai dhe shtatë policë të tjerë, që kanë qenë në kryerje të detyrës.
“Rr. Nacionale, Grabovc / 13.12.2024 – 20:15. Raportohet se pjesëtari i PK-së duke drejtuar automjetin zyrtar të blinduar, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rruge. Si pasoj e aksidentit lëndime trupore ka pësuar vetë drejtuesi dhe shtatë (7) pjesëtarë të PK-së, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës. Zyrtarët janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes sipas procedurave kanë dalë edhe IPK-ja”, thuhet në raport.
Ndryshe, tetë policë janë lënduar nga aksidenti i autoblindës në fshatin Grabovc afër Zveçanit në veri të Kosovës.
Të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, kështu ka bërë të ditur Nita Mustafa-Hakaj, zëdhënëse për media e Spitalit të Mitrovicës.