Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është angazhuar në hetimin e ankesës lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit.
Duke folur për këtë rast, Sveçla tha se pas ankesës së pranuar, IPK-ja ka nisur hetimet, ndërsa si rezultat i rekomandimeve të saj, dy zyrtarë policorë janë pezulluar.
“Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë”, tha Sveçla.
Ai shtoi se pas përfundimit të hetimeve, opinioni publik do të njoftohet për të gjeturat dhe masat eventuale ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Sveçla foli edhe për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me këtë rast, duke i cilësuar si të papranueshme.
Ai akuzoi Vuçiqin se po përpiqet të përdorë një pretendim të veçantë për të larguar vëmendjen nga të gjeturat e fundit në veri të Kosovës, përfshirë zbulimin e tri varrezave masive dhe konfiskimin e një sasie të madhe armatimi.
“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuqiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat të cilat janë të tmerrshme”, u shpreh ai.
Sipas Sveçlës, në vend që Serbia të bashkëpunojë në zbardhjen e krimeve të luftës dhe të hapë arkivat shtetërore, Vuçiq po përdor, siç tha ai, retorikë që devijon vëmendjen nga çështja kryesore.
“Në vend se Aleksandar Vuqiç të premtojë bashkëpunim, të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ai mundohet që përmes retorikës së tij të devijojë thelbin e çështjes”, tha Sveçla.
Ministri theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë hetimet për të dyja çështjet dhe se rezultatet do të bëhen publike.
“Por është koha e fundit dhe Vuqiç duhet të jetë adresa e fundit që ai të ankohet, por duhet të veprojë në mënyrë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen”, përfundoi Sveçla.