Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimit, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Jahir Demakut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimit, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Jahir Demakut, të cilët akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile.

Aktgjykimi ndaj Selimit dhe Demakut u shpall të enjten nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatësit Arrini, të akuzuarit lirohen nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga PSRK-ja.

Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve, por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burgim Sylejman Selimin, për keqtrajtim të të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burgim, ndërsa me tri vjet burgim ishte dënuar Nexhat Demaku.

Me nga tri vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demaj dhe Fadil Demaku.

Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit, duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve, kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me një vit burgim Sylejman Selimit.

Gjykata Supreme në korrik të 2017-s kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-s i kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.

E Gjykata Supreme sërish kishte vendosur t’i refuzojë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana e mbrojtësve të të dënuarve.

Ndryshe, Sylejman Selimi akuzohej për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK).

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika