Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një konferencë për media bashkë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur për Raportin e Progresit.

Ai tha se Kosova nuk ka marrë notë të keqe, por që sipas tij, është e rëndësishme që disa fusha të fuqizohen.

Sipas tij, Kosova po shkon në drejtimin e duhur.

“Më e keqja është regresi, pastaj nuk ka progres, pastaj progres i kufizuar, pastaj progres dhe progres i madh. Edhe progresi i limituar, është diku në mes, nuk është notë e keqe, është një numër i madh i kapitujve, disa çështje teknike që nuk janë atraktive, por janë të rëndësishëm për integrim, është raportuar ca progres apo progres i mirë. Ekziston progresi, po shkon në drejtimin e duhur, duhet të fuqizohet në disa fusha, nuk është notë e keqe”, tha ai.

Më tej, ai ka thënë se punën e Kuvendit ende po e pengon mosbashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës.

“Agjenda e reformës drejt BE është shumë me rëndësi. Mospabshkëpunimi mes partive dhe mazhorancës vazhdon të pengojë punën e Kuvendit. Duhet më tutje të fuqizohen veglat për fuqizimin e ligjit në Kosovë. Kosova ka nevojë të bëjë hetime më proaktive për luftimin e krimit të organizuar. Kosova ka ende nevojë të përgatitet në prokurimin publik, qarkullimi i mallrave, doganën. E ardhmja e Kosovës është në BE, këto nuk janë fjalë boshe. Kërkohet zotim, përkushtim dhe punë e madhe gjithashtu”, ka thënë Szunyog.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se Kosova dhe Serbia ende nuk kanë filluar zbatimin e obligimeve nga marrëveshjet e arritura. Szunyog, duke diskutuar masat e vendosura nga BE-ja, deklaroi se raporti i Komisionit Evropian pranon njëfarë progresi në depërshkallëzim.

Megjithatë, ai theksoi nevojën për të ndërmarrë më shumë hapa që Kosova të përfitojë plotësisht nga potenciali i planit të ri të zgjerimit.