Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kjo parti do ta dërgojë në Prokurori çështjen e 18 vendimeve të Qeverisë në detyrë për themelimin e komisioneve, të cilat, sipas tij, janë krijuar për procedurat e emërimit në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri, në një deklaratë para mediave, ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve për emërime, pavarësisht se, sipas tij, ajo nuk ka legjitimitet për të zhvilluar procedura të reja të kësaj natyre.
Ai ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtyre vendimeve, duke pretenduar se ato bien ndesh me kufizimet që ligji ua përcakton qeverive në detyrë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione, dikund-dikund me njerëz të njëjtë, për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent, në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjitimitet”, tha Tahiri.
Sipas tij, Qeveria në detyrë nuk duhet të nisë procedura të reja për emërimin e personave në pozita publike, ndërsa ka paralajmëruar se çështja do të shqyrtohet edhe në aspektin juridik.
Tahiri është thirrur në dispozitat ligjore që, sipas tij, përcaktojnë kufizimet e një qeverie në dorëheqje, duke pretenduar se vendimet për themelimin e komisioneve janë pjesë e veprimeve që nuk duhet të ndërmerren nga një qeveri me mandat në detyrë.
“Le që po vazhdojnë me bë emërimet. Le që po vazhdojnë me bë komisionet, mirëpo edhe po përgatiten që jo vetëm në nivel politik të shkeljes së ligjit të betimit të deputetit, ta shkelin Kushtetutën, mirëpo po ashtu edhe në administratë të shtetit”, deklaroi ai.
Deputeti i Aleancës ka thënë se kjo parti nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, që administrata shtetërore të vihet në shërbim të një partie politike.
Ai ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj personave përgjegjës për vendimet dhe procedurat që, sipas tij, janë ndërmarrë në kundërshtim me ligjin.
“Nuk guxojmë asnjë qeveri, e as kjo që nuk ka legjitimitet, që ta kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie. Dje kemi thënë që si Aleancë nuk do të lejojmë që të kemi një parti-shtet dhe sot po ju themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë. Këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë”, tha Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se Aleanca do ta adresojë rastin në Prokurorinë përgjegjëse përmes kallëzimit penal, duke kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e veprimeve të ndërmarra nga Qeveria në detyrë dhe personave të përfshirë në këto procedura.
Tahiri ka thënë se çështja e 18 komisioneve nuk është e vetmja për të cilën Aleanca pretendon se ka shkelje ligjore.
Sipas tij, në ditët në vijim do të ngrihen edhe raste të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët e Kuvendit.
“Pastaj, ka të bëjë me shkeljen tjetër që ndërlidhet me funksionet e dyfishta që deputeti i betuar e ushtron edhe në një zyrë ku nuk do të duhej të hynte”, tha ai.