Tahiri: Formacioni që udhëheq Kosovën që dy vjet, e ka kthyer shpresën në zhgënjim
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në seancën e së enjtes së 16 shkurtit, ka thënë se Qeveria Kurti ka instaluar pasiguri te qytetarët. Sipas Tahirit, Qeveria Kurti e ka kthyer shpresën në zhgënjim. Ndërsa, këtë qeverisje ai po e quan “qeverisja më e dëmshme dhe më eksperimentale […]
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në seancën e së enjtes së 16 shkurtit, ka thënë se Qeveria Kurti ka instaluar pasiguri te qytetarët.
Sipas Tahirit, Qeveria Kurti e ka kthyer shpresën në zhgënjim. Ndërsa, këtë qeverisje ai po e quan “qeverisja më e dëmshme dhe më eksperimentale në vend”.
“Janë bërë dy vite e dy ditë kur Qeveria Kurti ka instaluar pasigurinë më të madhe që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Është instaluar pasiguri, fillimisht te qytetarët në raport me sigurinë juridike të secilit person, duke i shtyrë përpara ligjet antikushtetuese, është prekur shtylla kryesore që është Administrata shtetërore dhe shteti ligjor duke e dëmtuar mbikëqyrjen dhe konsolidimin e demokracisë. Ky formacion që sot udhëheq Kosovën, e ktheu shpresën në zhgënjim, është zhgënjimi i 51 % që do të dëshmojnë se kjo ka qenë qeverisja më e dëmshme dhe më eksperimentale në vend”, ka thënë Tahiri në Kuvendin e Kosovës.
Tutje, ai ka ngritur kritika për partinë VV, duke thënë se qytetarët humbjen e shpresës po e shfaqin me largimin nga vendi.
Ndërsa, ka shtuar se Qeveria Kurti ka pasur shumë premtime, por të cilat nuk janë përmbushur, dhe sipas tij Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021, pra prej kur LVV fitoi zgjedhjet.
“U fol shumë për dy vite rreth zhvillimit ekonomik, punësimit, e ajo që dimë sot, Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021. Qytetarët e Kosovës duke e humbur shpresën në këtë Qeveri dhe në këto institucione kanë marrë rrugën e mërgimit, kanë marrë rrugën e ikjes, që nga njerëzit që kërkojnë punë të thjeshta dhe deri te një numër i madh i profesionistëve”, ka vijuar Tahiri.
Kritika, gjithashtu, ka pasur edhe në aspektin e shëndetësisë. Ai ka shtuar se qytetarët as shërbimet më të thjeshta nuk mund t’i marrin aty.
“Tashmë njerëzit e vendit ndryshe nga premtimet e mëdha nuk do të marrin as shërbimet bazike, secili prej nesh e dimë që ballafaqimi me QKUK është ballafaqim i vetmuar. Mozomakeq që nuk mund ta marrin as shërbimin më të thjeshtë që është në listën esenciale”.















