Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të bëhet pa vonesa, pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike.
Tahiri ka bërë të ditur se gjatë takimit ka ngritur dy shqetësime kryesore, duke theksuar se Kosova nuk duhet të lejojë zvarritjen e procesit të konstituimit të institucioneve të reja.
Sipas tij, është e pakuptueshme që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të ketë ende vonesa në funksionalizimin e Kuvendit.
“Ne ishim në takimin me u.d. dhe diskutuam mbledhjen dhe konstituimin e Kuvendit, i cili do të ndodhë më 6 gusht. Në emër të Aleancës, ngrita dy tema. E para, shqetësimin e thellë dhe kërkesën që konstituimi të ndodhë menjëherë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka kritikuar faktin që, sipas tij, për muaj të tërë përgjegjësia për mosfunksionalizimin e institucioneve është adresuar te opozita, ndërsa edhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore procesi ende nuk ka përfunduar.
Tahiri ka ngritur shqetësime edhe për mundësinë e interpretimeve që do të mund të shtynin më tej afatet për konstituimin e Kuvendit.
“Vendi i Kosovës nuk duhet të bëjë lojëra dhe ta shtyjë konstituimin e vet më larg se me datën 7 gusht. Çfarëdo tendence për interpretim që lidhet me një afat kohor shtesë, veçse e dëmton Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas tij, zgjatja e procesit do të krijonte dyshime se vonesat mund të kenë qëllime politike dhe zgjedhore.
“E konfirmon qëndrimin tonë politik se i gjithë ky proces i zgjatjes dhe stërzgjatjes ka qëllime zgjedhore, që ndërlidhen edhe me një cikël tjetër”, është shprehur Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca do të kundërshtojë çdo përpjekje për shtyrje të mëtejshme të konstituimit të Kuvendit.