Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka komentuar takimin e së martës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist, duke thënë se kreu i ekzektutivit e ka keqpërdorur gatishmërinë e sindikatave për ta gjetur një zgjidhje.

Sipas Tahirit, askujt nuk i intereson se çfarë është diskutuar brenda takimit, por që greva të ndalet dhe menjëherë të fillojë mësimi.

“Takimi i sotëm i kryeministrit me ministra është dashur të ofrojë zgjidhje dhe nesër të fillojë mësimi në të gjitha shkollat. Sot kryeministri e keqpërdori gatishmërinë e sindikatave duke mos ofruar zgjidhje dhe duke synuar t’ua tregojë vendin dhe t’i përçajë këto sindikata”, ka deklaruar Tahiri.

“Nuk është sot e rëndësishme dhe askujt nuk i intereson kryeministri si ka folur brenda takimit, a si vëlla me vëlla, a si nip a si dajë, sot secilit prej nesh i intereson që nesër të fillojë mësimi. Sot nuk u ofrua zgjidhje, sot edhe njëherë u ushtrua arroganca e pushtetit dhe egoja e cila e përshkruan këtë qeveri”, ka vijuar ai.

Gjatë ditës së martë, kryeministri Kurti bashkë me ministrat e tij i ka pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit Grevist, në krye me Rrahman Jasharajn.

Pas këtij takimi, të dyja palët deklaruan se nuk është arritur një marrëveshje e cila do ta ndalte grevën. Jasharaj e fajësoi Qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre të mëparshme.

Ndërkaq, edhe kryeministri i Kosovës i ka fajësuar sindikatat të cilat sipas tij nuk janë të gatshme të gjendet një zgjidhje.

Greva e punëtorëve të sektorit publik ka filluar më datën 25 gusht të këtij viti, kërkesë kryesore e grevistëve është shtesa prej 100 eurosh deri në miratimin e Ligjit të Pagave, i cili sipas qeverisë do të miratohet së shpejti.