Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti po ankohet për Milan Radoiçiqin, por që sipas tij, ai vetë e ka lënë të lirë.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Qeveria i ka pasur nën përcjellje lëvizjet e Radoiçiqit, por nuk ka reaguar.

“Albin Kurti vazhdon të ankohet për Radojçiqin, por ende nuk e ka sqaruar për publikun përse e la të lirë Radojçiqin më 24 shtator në Banjskë. Përmes dronit të institucioneve të sigurisë, kryeministri i ka përcjellur në kohë reale lëvizjet e Radojçiqit. Megjithatë, ai dhe banda e tij u lejuan të iknin dhe sot paraqesin rrezik serioz për sigurinë e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se Kurti përmes Mimoza Kusari-Lilës i lejoi korridor tërheqjeje Radojçiqit.

“Në një anë, Albin Kurti vazhdon të manipulojë me sentimentin patriotik, kurse në anën tjetër i lejoi korridor tërheqjeje Radojçiqit, pasi ishte koordinuar me të muaj më parë përmes shefes së grupit të tij parlamentar”, ka vijuar ai.

Reagimi i Tahirit vjen pasi sot Kryeministri Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq po mban takime me shërbimin sekret serb e se po strehon anëtarë të organizatave terroriste për të planifikuar një sulm të ri në Kosovë.