Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se në seancën e ardhshme parlamentare do të diskutohet Projektligji për Fondin Sovran.

Sipas Tahirit, nëse ky projektligj miratohet, PDK-ja do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ky fond do të krijojë një strukturë burokratike të panevojshme.

Ai ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj këtij ligji, duke e vlerësuar atë si një strukturë ekonomike të padobishme për vendin.

“Ditën e enjte po ashtu në kuadër të seancës së re do ta kemi Projektligjin për fondin sovran, ne si PDK e kundërshtojmë. Është një strukturë burokratike. Konsiderojmë që është një strukturë ekonomike shumë e padobishme”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se nëse Projektligji për Fondin Sovran kalon në leximin e dytë, PDK-ja është e përgatitur të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se Gjykata do ta shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën.

“Si e tillë konsiderojmë që nëse kalon në leximin e dytë, ne si PSK do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, kjo mund të ndërtohet vetëm me ndryshime Kushtetuese. Jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë. Ky ligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Tahiri ka kritikuar Asociacionin dhe e ka cilësuar atë si një institucion paralel të dëmshëm për shtetin.

Sipas tij, drafti i Asociacionit do të çonte në themelimin e një pushteti paralel, duke bërë Mitrovicën e veriut kryeqytetin e serbëve të Kosovës.

“Ky është një pushtet paralel. Këtu nuk po flitet më për Asociacionin, në kompetenca është një institucion paralel në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka përmendur se vetëmenaxhimi është rregulluar mirë në draftin statusin  aktual që sipas tij, është e dëmshme.