Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar si një kaos të vërtetë situatën në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar se dhjetëra seanca kanë dështuar, për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa partia në pushtet nuk ka miratuar disa rezoluta të propozuara nga PDK-ja, që, sipas tij, do të kishin ndikim në jetën e qytetarëve.

Tahiri ka përmendur tri vendime të rëndësishme të kundërshtuara nga PDK-ja, duke theksuar se ato kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.

Ai ka shpjeguar se kërkesat e tyre për shkarkimin e bordit të ZRrE-së, rishikimin e çmimit të energjisë elektrike, mbajtjen e çmimit të tatimit në pronë në nivelin e vitit 2022, dhe mosheqjen e TVSh-së për produktet bazë janë refuzuar nga VV-ja, duke shkaktuar probleme për qytetarët.

“Me tri vendime që i kemi kundërshtuar si GP i PDK dhe këto tri vendime e kanë rënduar jetën e secilit qytetar të vendit tonë. Kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar shkarkimin e bordit të ZRrE-së, që ka rritur çmimet dhe kemi kërkuar një rezolutë, përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë elektrike dhe të zbresë çmimi. Fatkeqësisht, kjo rezolutë është rrëzuar me vota ka GP i VV-së. Çështja e dytë që ka rënduar jetën e qytetarëve është edhe rritja e tatimit në pronë, ne me rezolutë kemi kërkuar që tatimi në pronë të jetë si në vitin 2022, që një gjë e tillë është rrëzuar me vit nga VV-ja. Vendimi i tretë që është kundërshtuar nga VV-ja ka qenë heqja e TVSh për produktet bazë”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me largimin e qytetarëve nga vendi, duke përmendur shifrat alarmante nga ambasadat e Gjermanisë dhe të Zvicrës.

Ai ka theksuar se PDK-ja ka propozuar ligje të rëndësishme, por disa prej tyre janë rrëzuar.

“Mund të them që PK është e vetmja në rajon që nuk ka sigurim shëndetësor, ka qenë një fatkeqësi e madhe që kjo të rrezohet nga VV-ja. Ligjet që i kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë viti 2023 kanë qenë 6 ligje, dy prej të cilave kemi marrë rezultat pozitiv dhe katra presim që të marrim përgjigje”, ka thënë Tahiri.

Në lidhje me draft-statutin për Asociacionin, Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij, duke e krahasuar situatën me ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ai ka akuzuar negociatat e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për këtë situatë.

Tahiri, gjithashtu, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur një përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë. Ai ka theksuar se Asociacioni është një produkt i negociatave të Kurtit dhe ka potencialisht pasoja të rënda për Kosovën.

“Themeli i kësaj trupe ekzekutive është një pushtet paralel karshi Qeverisë së Kosovës. Fatkeqësisht, ky është një produkt i negociatave të Albin Kurti tash e dy vite në Bruksel. Asociacioni pikënisjen e ka në vetëmenaxhimin e marrëveshjes së Ohrit”, ka deklaruar ai.

Në përfundim, Tahiri ka vlerësuar reformën zgjedhore të vitit 2023 si pozitive, por ka kritikuar drejtuesin e përzgjedhur të Asociacionit, Gani Jakupi, për kontratën e tij të paguar me 7 mijë e 500 euro.