Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka shprehur bindjen se kandidati i kësaj partie për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, do të marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 12 tetorit.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Tahiri e ka cilësuar Lipjanin si një nga komunat me potencialin më të madh zhvillimor në vend, por që sipas tij, për momentin përballet me kaos dhe probleme të shumta që rëndojnë jetën e qytetarëve.

“Lipjani është një nga qytetet me potencialin më të madh të zhvillimit në Kosovë, shumë më tepër se shumë komuna të tjera. Është për të ardhur keq të shohësh kaosin dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e kësaj komune.

Për zgjedhjet e 12 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës ka kandiduar për kryetar të komunës një personalitet të dëshmuar – Shukri Bujën.
Sot pasdite, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme Vlora Çitaku dhe deputetët Përparim Gruda dhe Rashit Qala, patëm një takim shumë produktiv me z. Buja dhe ekipin e tij fantastik, ku diskutuam organizimin tonë për zgjedhjet e 12 tetorit.
Pas 12 tetorit, Lipjani do të qeveriset nga Shukri Buja”, ka shkruar Tahiri.