Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës( PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se ndonëse ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mbetet një kryelajm në Slloveni dhe jo vetëm, nuk po vihet re nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se “mbrojtja” e tyre paraqet një dëshmi në vete.

“Afera e Martin Berishajt, kryelajm në Slloveni dhe mediat rajonale, e ‘çuditërisht’ krejt e pavërejtur nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti e ministrja Gërvalla. Mbrojtja që pushteti ia ka bërë dhe po ia bën Martin Berishajt, është dëshmi në vetvete se këta pushtetarë janë thellësisht të përfshirë si hisedarë në këtë aferë”, thuhet në postimin e Tahirajt.

Ndonëse shkarkimi i tij u kërkua, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se shkarkimi i Berishajt nuk mund të bëhet pa ndonjë arsye faktike.

“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale – ai shkarkohet kur ka arsye faktike. Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, kishte deklaruar Gërvalla.

Ndryshe, më 22 prill, Presidenca e Kosovës kishte kërkuar raport me shkrim nga ambasadori Berishaj, për pretendimet mediale të përfshirjes së tij në një skandal të madh financiar si sekser për Robert Golob, politikanin slloven.

Ky skandal ishte raportuar nga “Planet TV” të Sllovenisë, ku sipas këtij mediumi, kompania private konsulente në Mal të Zi, “MB Consulting”, e Berishajt, po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të transferimeve të parave nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven (GEN-I).

“MB Consulting” kishte tërhequr para të gatshme rreth 600 mijë euro, të cilat, më pas i kishte bartur te politikani slloven.

Ndërkohë, Berishaj kishte mohuar këto raportime, dhe njëkohësisht ka paralajmëruar padi për mediumin në fjalë.

Ndërsa, në konferencën për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte dalë në mbrojtje Berishajt, duke thënë “ne i besojmë fjalëve të tij deri sa të ketë diçka konkrete nga institucionet e drejtësisë” mirëpo, Zyra e Presidencës kishte konfirmuar se ka ftuar ambasadorin Berishaj në Kosovë për të sqaruar situatën.