Tahiri për pagesën e këstit të tatimit në pronë: Ministria e Financave ka vendosur në presion mijëra familje
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se rikujtimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për rikujtimin e këstit të pare të tatimit në prone ditën e shtunë ka vendosur në presion mijëra familje. Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk po kupton hallet […]
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se rikujtimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për rikujtimin e këstit të pare të tatimit në prone ditën e shtunë ka vendosur në presion mijëra familje.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk po kupton hallet e qytetarëve të Kosovës dhe se rrugëtimin e saj në çështjen e tatimit, ndonëse e nisi ndryshe po e mbyll me presion.
“Rikujtimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, se data 30 prill, është afati i fundit për pagesën e këstit të tatimit në pronë, me çmimin e papërballueshëm ka vendosur në presion mijëra familje. Qasja se 100 euro do të kompensohen me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, tregon se kjo qeveri nuk i kupton hallet e as pamundësitë e qytetarëve. Pagesa kaq e lartë, sot është e pa përballueshme, e pajustifikueshme. E nisën me fajësime të komunave, e vazhduan me gënjeshtra e po e mbyllin me presion. Edhe vetë projektligji, ka hasur gjerësisht kundërshtimin e komunave, në vend se të prodhohen zgjidhje, po normohen edhe më tepër rritje”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, i njëjti i ka bërë thirrje ministrit të këtij dikasteri, Hekuran Murati që të diskutojë projektligjin i cili parashihet të falë 100 euro nga pagesa.
“Thërras ministrin të diskutojë me urgjencë me komunat këtë projektligj, ta sjell në Kuvend, e të ndalë presionin e ndëshkimeve në këtë kohë të çmimeve të papërballueshme. Të shihen zgjidhje për zgjerim të grumbullimit të tatimit. Sepse nuk mund t’u rëndohet barra atyre që po paguajnë plot fatura të dështimeve të institucioneve”, ka shkruar ai.
Falja e 100 eurove të tatimit në pronë do të vlejë edhe për ata që e kanë bërë pagesën para miratimit të Projektligjit të Tatimit të Pronës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ndonëse një projektligj i tillë nuk është votuar akoma në Kuvend, MF bën të ditur se me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë do u llogaritet si parapagim për këstet e tjera.
“Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend. Theksojmë që, bazuar në Projektligjin e Tatimit në Pronë, falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, sipas njoftimit, dita e nesërme, 30 prill, është afati për ta kryer pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.
Tatimi në pronë në Kosovë është rritur 100 për qind pa asnjë paralajmërim e diskutim publik.















