Të martën e 4 prillit, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq kanë arritur një marrëveshje për themelimin e Asociacionit.

Kjo ka qenë arsyeja se pse ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti 2, duke thënë se kjo e fundit e ka cenuar “sovranitetin dhe Kushtetutën”, duke negociuar themelimin e Asociacionit me Serbinë.

“Dje pamë një mbrojtje të dinjitetshme të krerëve të UÇK-së në Gjykatën speciale ashtu siç luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Nga ana tjetër, po të njëjtën ditë Qeveria Kurti cenoi sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës duke biseduar me Serbinë në Bruksel për zbatimin e Asociacionit. Çështjet e brendshme të shtetit nuk bisedohen me shtet tjetër dhe as me ndërmjetësim ndërkombëtar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

“Kjo shkelje të sovranitetin dhe Kushtetutës së Kosovës është sanksionuar në Marrëveshjen zbatuese të Ohrit ku në pikën 7 përcaktohet se zbatimi i Asociacionit dhe vetmenaxhimit   autonomisë për pakicën serbe bëhen me ndërmjetësimit të BE-së. Madje edhe me keq kjo pikë e faktorizon pakicën serbe ndërkombëtarisht e cila u bë palë me shtetin e Kosovës dje në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Si pasojë, Serbia dje jo vetëm ndërhyri në punët e brendshme të shtetit të Kosovës por i dha ultimatum Kosovës që për 20 ditë ta hartoj draftin e statutit të Asociacionit”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ish-kryenegociatorja ka thënë se Bislimi nuk po guxon të thotë që drafti i statutit të Asociacionit do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese së Kosovës.

“Kryenegociatori Bislimi dje u mundua dëshprimisht të mashtroi opinionin duke iu shmangur pranimit të këtij fakti. Madje nuk guxoi ta përmend se draft statuti i Asociacionit do ti shkoj Gjykatës Kushtetuese së Kosovës të cilën e kërkon Marrëveshja e Asociacionit e vitit 2015, gjë për të cilën është zotuar Qeveria Kurti ta zbatoj me pranimin e Marrëveshjes zbatuese në Ohër më 18 mars”, ka përfunduar ajo.