Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka shprehur qëndrimin e partisë së tij lidhur me situatën politike në vend.

Ai ka thënë se zgjidhja e vetme për krizën në vend është rrëzimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, duke përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjes së opozitës nëpërmjet mocionit të mosbesimit.

“Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra se si jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën, ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdojë më tutje”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me masat dhe sanksionet që kanë hyrë në fuqi nga Bashkimi Evropian dhe ka akuzuar Qeverinë për tentimin e fshehjes së komunikimit me BE-në në lidhje me këto masa.

“Në raport me masat apo sanksionet që tashmë kanë hyrë fuqi nga Bashkimi Evropian, shpreh shqetësimin e thellë që Qeveria e Kosovës apo kjo mazhorancë tentoi ta mbajë të fshehur komunikimin që i kishte bërë BE-ja më nga data 28 qershor që këto masa apo këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Tashmë për agjendën tonë evropiane, lëre që nuk flitet për progres, por kemi hyrë në një shkallë shumë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhmen tonë euroatlantike”, ka deklaruar ai.

Ai ka vënë në dukje rrezikun e këtyre masave për agjendën evropiane të Kosovës dhe ka thënë se kjo situatë dëmton të ardhmen euroatlantike të vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka theksuar se Kuvendi aktual është i dështuar dhe se nuk e meriton të vazhdojë të Qeverisë.

“Prandaj, konsideroj që edhe si opozitë jemi në një prag të udhëkryqi, të cilit vërtet do të na imponohet që të marrim vendime, të cilat konsiderojmë që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë. Ju e patë që edhe sot pikërisht ky kuvend i dështuar, se tashmë po flasim për një parlament që është realisht i dështuar, që nuk e meriton me vazhdu as edhe një ditë të vetme, që nuk e meriton me shpenzu as edhe një cent të vetëm nga taksat e qytetarëve të Kosovës, sepse ka bllokuar komplet agjendën e vendit. Qeverisje të vendit nuk kemi, gjithçka ka stanuar, prandaj mendoj që jemi në një gjendje mjaft të mjerueshme si vend, të cilën e kemi si rezultat të kësaj qeverisjeje”, është shprehur Tahiri.

Ndryshe, në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet të hënën e 3 korrikut.

Këtë e ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari – Lila.