Tahiri: Seanca e Këshillit të Sigurimit, grackë e Serbisë për ta prezantuar Kosovën me UNMIK-un
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Serbia me anë të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sonte po tenton të degradojë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Shefi i GP të PDK-së, Tahiri ka thënë se synimi i Serbisë është […]
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Serbia me anë të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sonte po tenton të degradojë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Shefi i GP të PDK-së, Tahiri ka thënë se synimi i Serbisë është që të degradojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, sepse në këtë seancë, sipas tij, flet “UNMIKU” për Kosovën.
“E vetmja kënaqësi për Serbinë është të ftojë atë sepse aty në radhë të parë flet UNMIK-u, gjithmonë me synimin të degradojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, synojnë të kenë UNMIKU-n të parin, jemi dakorduar që mundësisht të mos shkojnë as kryeministri, as presidenti, as ministrja të përfaqësojnë Kosovën, por ambasadori sepse është nivel më i lartë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, kjo është grackë e Serbisë gjithmonë për të prezantuar Kosovën me UNMIK-un.
“Është kurth, grackë e Serbisë. Gjithmonë për të prezantuar Kosovën bashkë me UNMIKUN. Para vitit 2021, kanë ardhur 117 njohje, asnjë njohje kur qeverisni ju. Qikjo është Kosova që e udhëheqni me çnjohje, degradimin që e keni sjellë në arenën ndërkombëtare”, ka vijuar ai.
Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, do të mbahet sot në orën 21:00.
Serbia i kishte dorëzuar një kërkesë misionit të Guajanës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.
Serbia pretendon se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.
Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Deri më tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.















