Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në lidhje me seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten, ku do të trajtohet interpelanca e ministrit Hekuran Murati, ka theksuar se do të reflektohen dy rreziqe të mëdha ekonomike për Kosovën në këtë periudhë.

Tahiri nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se “bllokimi i investimeve kapitale” është në nivelin më të ulët në histori dhe ka shprehur nevojën për rishikim buxhetor për të rritur koeficientin e pagave për shërbyesit civilë nga 105 euro në 129 euro.

Ai ka vënë në dukje se seanca e nesërme duhet të jetë një alarm i fundit për të inkurajuar Qeverinë që, sipas tij, të fokusohet në investimet publike dhe të kujdeset për punësimin në administratën shtetërore.

“E kam një porosi për Qeverinë dhe ministrin: seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, ai ka thënë se partia e tij gjatë seancës do të prezantojë qëndrimet, kalkulimet dhe të gjitha sugjerimet e tyre për ndryshime në buxhetin e Kosovës me rishikim.

Kujtojmë se shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza-Kusari-Lila, më 16 qershor, ka njoftuar se kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten të mbajë seancë, ku ministri i Financave, Hekuran Murati, do të jetë në interpelancë.

Sipas saj, seanca do të fillojë në ora 10:00, ku Murati do të flasë për çështjen “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.