Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se sistemi i pagave në vend është “në katrahurë”.

“Mijëra zyrtarë publikë, edhe dy muaj pas, nuk e dinë sa i kanë pagat, kush merr shtesa, në cilin rangim janë. Kjo, jo vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek zyrtarët publikë. Në çdo institucion publik, është krijuar atmosferë e zymtë, diskutimi kryesor është se sa është paga, pakënaqësi e dëshpërim”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, vendimmarrësit në vend kanë vendosur nga muaji në muaj të nxjerrin një arsyetim.

“Në këtë krizë, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik. Për të arritur një nivel të tillë përgatitje duhet prej 3-5 vjet, e ka raste si në shëndetësi deri në 6-10 vjet. Që i bie, se ne po rrezikojmë funksiononet vitale të sektorëve”, ka shtuar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së.

“Me urgjencë, duhet që të procedohen pagat sipas ligjit, të vendoset komunikim e dialog për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, e për të parë presionin që po vjen nga trendi i largimit të profesionistëve”, ka shtuar tutje ai.