Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, i cili ka hyrë në fuqi nga mesnata e së hënës (17:00 GMT), pas një konflikti pesëditor kufitar që u cilësua si më i rëndi në mbi dhjetë vjet dhe që detyroi mbi 300 mijë persona të zhvendosen, raporton agjencia Reuters.

Marrëveshja u arrit pas ndërmjetësimeve intensive të Malajzisë – e cila aktualisht kryeson bllokun rajonal ASEAN – si dhe të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat ushtruan presion diplomatik për t’i sjellë dy vendet në tryezën e bisedimeve. Udhëheqësit e të dyja vendeve ranë dakord të ndalin armiqësitë, të rifillojnë komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të krijojnë një mekanizëm për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.

“Kjo është një hapje jetike drejt uljes së tensioneve dhe rivendosjes së paqes dhe sigurisë në rajon”, deklaroi kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, gjatë një konference për media në Putrajaya, ku ishte i shoqëruar nga liderët e Tajlandës dhe Kamboxhias.

Takimi mes palëve zgjati mbi dy orë dhe rezultoi në dakordësimin për ndërprerjen e konfliktit.

Bisedimet për armëpushimin u zhvilluan në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të Anwar Ibrahim dhe thirrjeve telefonike të presidentit amerikan Donald Trump gjatë fundjavës me liderët e të dy vendeve.

Trump kishte paralajmëruar se do të ndalte negociatat tregtare me Tajlandën dhe Kamboxhian nëse nuk ndërpriten luftimet, duke kujtuar se të dyja vendet përballen me një tarifë prej 36% për eksportet e tyre drejt SHBA-së, tregu më i rëndësishëm për ekonominë e tyre.

Në një postim në rrjetin Truth Social të hënën, presidenti Trump përgëzoi përpjekjet e të gjitha palëve dhe njoftoi se ka udhëzuar ekipin e tij tregtar që të rinisë negociatat me Tajlandën dhe Kamboxhian, pas konfirmimit të armëpushimit.