Tajlandë, fitore e thellë e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme

Sondazhet parazgjedhore favorizonin partinë ‘Pheu Thai’, por në një rezultat befasues partia “Të bëjmë përpara” arriti të sigurojë 151 vende në Dhomën e Përfaqësuesve nga 400 gjithsej, dhe 10 më shumë se ‘Pheu Thai’ që mori 141

Partia opozitare “Move Forward”, “Të bëjmë përpara” e mbështetur nga miliona votues të rinj, ka shënuar një fitore domethënëse në zgjedhjet e së dielës.

Rezultati po shihet si një goditje ndaj ndikimit ushtarak në vend dhe si nevojë për të reformuar monarkinë.

Aktualisht posti i kryeministrit mbahet nga gjenerali në pension Prayut Chan-o-cha, i cili erdhi në pushtet falë një grushti shteti në vitit 2014.

Sondazhet parazgjedhore favorizonin partinë “Pheu Thai”, por në një rezultat befasues, partia “Të bëjmë përpara” arriti të sigurojë 151 vende në Dhomën e Përfaqësuesve nga 400 gjithsej dhe 10 më shumë se “Pheu Thai” që mori 141.

Udhëheqësi i Partisë “Të bëjmë Përpara”, Pita Limjaroenrat tha të hënën se partia e tij është gati të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Tajlandës dhe se ai gjithashtu është gati të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit.

Gjatë një konference për shtyp në Bankok Pita tha se kishte zhvilluar bisedime me partinë “Pheu Thai” e forca të tjera politike për formimin e një qeverie koalicioni, që do të ketë mbi 300 vende në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por, i takon Senatit prej 250 anëtarësh të emëruar nga ushtria, të vendosë nëse do të mbështesë ose jo koalicionin dhe kandidatin për kryeministër.

Një nga arsyet kryesore që të rinjtë tajlandezë kanë mbështetur partinë “Të bëjmë Përpara” janë zotimet e tyre për të reformuar monarkinë tajlandeze, si dhe ndryshimin e ligjeve që ndalojnë kritikat ndaj familjes mbretërore, shkelja e të cilave shoqërohet me dënime të rënda me burg.

Pita ka bërë thirrje gjithashtu për rritje të pagave si dhe reformë në arsim.

Udhëheqësi i partisë “Pheu Thai”, Paetongtarn Shinawatra, uroi fituesin e zgjedhjeve dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim.

Komisioni i Zgjedhjeve ka deri në 60 ditë afat për të konfirmuar zyrtarisht rezultatin përfundimtar të tyre.

Këto ishin zgjedhjet e para të përgjithshme në Tajlandë që nga viti 2019. Në të morën pjesë 39.5 milionë, ose 75% e 52 milionë votuesve të regjistruar./VOA

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika