Takimet për institucionet e reja: Hamza dhe Abdixhiku pranojnë ftesën e Kurtit, Gjini e refuzon

Ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për takim me partitë parlamentare lidhur me formimin e institucioneve të reja ka marrë përgjigje të ndryshme nga subjektet politike.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur ta pranojë ftesën për takim, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim, duke thënë se qëndrimi i saj mbetet ai i deklaruar më herët.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka konfirmuar se takimi me Kurtin do të mbahet të premten në ora 09:00, në Kuvendin e Kosovës.

Hamza ka theksuar se diskutimet nuk duhet të nisin nga ndarja e pozitave, por nga përcaktimi i prioriteteve dhe vizionit për qeverisjen e ardhshme.

“Nuk jam kundër takimeve, mirëpo para se me fol për pozitat, është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i partisë të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar Kuvendi, Presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka thënë se situata aktuale kërkon përgjegjësi politike, duke theksuar se vendi ndodhet në vakum institucional dhe se partitë duhet të veprojnë me seriozitet.

Edhe LDK-ja ka konfirmuar gatishmërinë për takim. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e Kurtit për një takim në formatin “1+1”.

“Unë sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë herë do të takohemi 2 me 2 dhe do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, ky është komunikimi i parë zyrtar ndërmjet dy liderëve pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Adrian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij i ka dërguar përgjigje zyrtare Kurtit, por nuk e ka parë të nevojshëm zhvillimin e një takimi.

Gjini ka thënë se qëndrimi i AAK-së mbetet ai i datës 26 qershor, duke e cilësuar si të qartë, parimor dhe publik.

Në përgjigjen e saj zyrtare, AAK ka rikujtuar ofertën për mbështetjen e krijimit të institucioneve të reja, duke shprehur gatishmëri për të kontribuar për kuorumin e zgjedhjes së Presidentit/es, nëse mandatari për formimin e Qeverisë pranon gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

Sipas AAK-së, kjo ofertë synon zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Ftesa e Kurtit për takime me partitë opozitare erdhi pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare dhe nisjes së afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Të fundit nga rubrika