ryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nuk u takuan në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, edhe pse një takim mes tyre ishte planifikuar për të martën.

Fillimisht ishte pala turke që kërkoi shtyrjen e takimit, pasi Erdogan po merrte pjesë në një mbledhje të udhëheqësve arabë dhe myslimanë të thirrur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Zyrtarët grekë më vonë sugjeruan se takimi mund të mbahej të mërkurën, por sipas mediave greke, ai nuk do të zhvillohet. Burime qeveritare turke i thanë gazetës Milliyet se Ankaraja e anuloi takimin pasi Athina e publikoi paraprakisht, pavarësisht marrëveshjes që njoftimi të bëhej vetëm më pas.

Një burim i lartë qeveritar grek tha për CNN Greece se Athina ka lënë kanalet e komunikimit të hapura, ndërsa Milliyet raportoi se kërkesa për takim erdhi nga pala greke, e jo nga Turqia. Informacionet për anulimin nisën të qarkullojnë të martën pasdite, kur delegacioni turk njoftoi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për zhvillimin e takimit.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Erdogan deklaroi se projekti i ndërlidhjes së energjisë elektrike Greqi–Qipro nuk do të realizohej. Ky zhvillim tregon se, të paktën në Nju Jork, kanalet diplomatike mes dy vendeve janë ngushtuar.