Takimi Kurti-Abdixhiku për Presidentin: Palët diskutuan emra konkretë, takimet do të vazhdojnë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm.

Takimi ka zgjatur më shumë se dy orë dhe, sipas deklarimeve të dy liderëve pas takimit, diskutimet kanë kaluar në një fazë më konkrete.

Kurti ka bërë të ditur se palët kanë diskutuar për emra konkretë për postin e Presidentit, por ka theksuar se emrat nuk mund të bëhen publikë pa u arritur një dakordim i plotë.

“Jemi në një fazë të re, negociojmë për dhe me emra konkretë dhe të përveçëm që nuk mund të bëhen publikë derisa të mos ketë dakordim të plotë për ta dhe me ta”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, palët kanë diskutuar paraprakisht edhe për kriteret, standardet, parimet, vlerat, meritat dhe kontributet që duhet t’i kenë kandidatët.

Edhe Abdixhiku ka konfirmuar se në takimin e së mërkurës janë diskutuar emra konkretë, pas dakordimit për parimet mbi të cilat duhet të bazohet zgjedhja e Presidentit.

“Pas dakordimit rreth parimeve për presidentin apo presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës, sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave konkretë”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka vlerësuar se emrat e diskutuar janë, në masë të madhe, në përputhje me parimet e dakorduara mes palëve.

Megjithatë, ai ka thënë se emrat nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, duke paralajmëruar vazhdimin e takimeve për finalizimin e marrëveshjes.

Kurti ka deklaruar se negociatat nuk do të zgjasin me muaj, ndërsa ka thënë se palët do të vazhdojnë komunikimin dhe takimet.

“Nuk është çështje muajsh kur duhet të merremi vesh, është çështje javësh dhe do të dëshironim të ishte çështje ditësh”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja është e interesuar që procesi të përfundojë me një marrëveshje që i sjell stabilitet Kosovës.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika