Ora 08.25 minuta, Kryeministri në detyrë niset drejt sallës së Kuvendit. Për pesë minuta në sallën numër 204 e pret në takim kryetarin e partisë më të madhe nga ish-kampi opozitar.

Memli Krasniqi ia ka konfirmuar ftesën, e LDK nuk vjen në takim.

Pas një minute në hyrjen tjetër të Kuvendit vjen edhe Memli Krasniqi.

Të dy bëhen bashkë në sallën e Kuvendit.

Nga një gotë e shishe ujë para vetes, duart mbi tavolinë, asnjë fjalë me njëri-tjetrin, përpos disa komunikimeve me sy, e më shumë me mediat.

Heshtja nga takimi u largua me ikjen e mediave.

Biseda zgjati rreth një orë, nikoqiri i takimit nuk tregoi se çka folën e çfarë oferte i propozoi Krasniqit. Edhe kryetari i PDK-së e ka zgjedhur të njëjtën strategji, zgjodhi të flasë për atë se çka i tha Kurtit.

“Z. Kurti i thash se do të ishte mirë që të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera, ashtu siq ju kam thënë edhe juve, ky është qëndrimi i PDK-së. Ne nuk kemi pasur qëndrim bllokues mohues s’na takon neve me ja zgjedh kryetarin e Kuvendit, partisë që ka dalë e para”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi e rikonfirmoi se përkundër takimit nuk kanë marrëveshje politike me Vetëvendosjen dhe as nuk e konsiderojnë një opsion të tillë.

“Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen për diskutimet për kryetarin. Janë çështje të ndara. Neni 67 e ka zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit por nuk do të thotë se është e njëjta gjë”, ka shtuar Krasniqi.

Kjo është pjesa ku Krasniqi e bëri të qartë se nuk e kanë në plan t’i diskutojnë postet e nënkryetarëve. Me shkas letrën për takim të Kurtit ku nënkryetarët dhe Kryetarin i ka futur në një fjali duke nënkuptuar se dëshiron të flasë për të gjitha këto poste.

Krasniqi në asnjë formë nuk pranoi të flasë se çka propozoi Kurti, por tha se nuk i ka thënë se e tërheq kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryekuvendare, dhe ashtu ndodhi.

E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit la të nënkuptohet se nuk është penduar që e ka refuzuar takimin me Kurtin.

“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?

Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë.

Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë! Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin! Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund!…”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku tha se shpreson që edhe partitë tjera ta kuptojnë se është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, mosnënshtrimi dhe mosdorëzimi para saj.

LDK edhe në seancat paraprake e ka bërë të qartë se as nuk voton për Kryeparlamentarin e as nuk pranon takim a marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ky takim nga Kurti është iniciuar me pretekstin e diskutimit me partitë të cilave iu takon posti i nënkryetarit të Kuvendit, në këtë rast AAK dhe Nisma nuk kanë qenë pjesë e tryezës.