Fillimi i punës intensive në krijimin e standardeve për të gjitha stadiumet në Kosovë ishte arsyeja pse u takuan sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Grupi Koordinues, i cili është krijuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për planin 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit.

Arsye tjetër e takimit ishte edhe nisja sa më e shpejtë e zbatimit të këtij plani.

Të pranishëm ishin edhe ministri Hajrulla Çeku dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Çeku ka thënë se plani 5-vjeçar përfshin Memorandumet e Bashkëpunimit të arritura me 16 komuna të Kosovës bashkë me FFK-në për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit.

“Tani gjithçka rreth projekteve të përbashkëta të infrastrukturës që janë pjesë e planit 5-vjeçar do të bëhet në koordinim me këtë grup punues, i cili është i përbërë nga njerëzit më kompetent. Ky grup do të jetë edhe vendimmarrës, edhe strategjik edhe orientues, si për ministrinë ashtu edhe për federatën dhe për të gjithë të tjerët sa i përket projekteve të parapara. Tash e tutje gjithçka që ka të bëjë me infrastrukturën e futbollit pa u filtruar nga ky grup, ne, nuk do ta shtyjmë përpara.

Kjo pasi përvoja jonë me disa komuna e klube nuk është më e mira, pasi shpesh ka kërkesa megalomane dhe në shpërputhje totale edhe me mundësitë por edhe me nevojat që i kemi. Por, ky grup do ta amortizojë këtë pjesë sepse këto diskutime dhe vendimarrje duhet të jenë profesionale. Pra, ky grup i bën analizat, i bën vlerësimet dhe na orienton edhe neve për të vepruar tutje. Nuk i kam hallet te kursimet, sepse buxheti gjithmonë gjendet disi, por të mos bëjmë investime të pamençura që më pas na kushtojnë më shumë në mirëmbajtje ose në efektivitet. Pra, qëllimi është që çdo cent i taksapaguesve që investohet në infrastrkuturën e futbollit të jetë investim i mençur”, ka potencuar Çeku.

Në anën tjetër, thuhet se Ademi premtoi mbështetjen e plotë të Federatës së Futbollit të Kosovës për Grupin Koordinues dhe për të gjitha iniciativat për avancimin e futbollit në Kosovë.

“Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të futbollit në Kosovë dhe promovimit të një infrastrukture sportive moderne dhe funksionale për të gjithë komunitetin e futbollit në vend,” thuhet në komunikatën e FFK-së.

Grupi Koordinues përbëhet nga Florim Kryeziu, kryesues (MKRS) si dhe anëtarët: Drilon Kabashi (MKRS), Muhamet Koca (FFK), Florim Grajçevci (FFK), Gent Gërdovci (FFK), si dhe dy përfaqësues me rotacion nga kolegjiumi për Kulturë, Rini dhe Sport i Asociacionit të Komunave të Kosovës.