Ka nisur seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademaj.

Në këtë seancë, që po mbahet sot në Prishtinë, pritet që palët të paraqesin fjalët përfundimtare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 15 janar 2025 ndaj tre të akuzuarve, si dhe ndaj Tom Dodaj. Sipas aktakuzës, vrasja ishte planifikuar paraprakisht, ku dyshohet se bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, kishte organizuar gjithë skemën.

Në dokumentet e Prokurorisë thuhet se Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, kishte zhvilluar planin për eliminimin e bashkëshortes së tij. Ai fillimisht ia kishte shpalosur planin Kushtrim Kokallës, i cili në fillim kishte refuzuar, por më pas kishte ndërmjetësuar kontaktin me Granit Plavën.

Sipas marrëveshjes së pretenduar, Plava do ta kryente vrasjen për një pagesë prej 30 mijë eurosh. Për realizimin e planit, Murseli dyshohet se kishte siguruar armën me 20 fishekë nga Tom Dodaj për 280 euro, armë e cila më pas u përdor në krim.

Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas aktakuzës, Murseli kishte inskenuar rastin si grabitje, duke i dhënë sinjal me drita automjetit të Plavës. Ky i fundit, i maskuar dhe i armatosur, kishte dalë përpara veturës dhe kishte qëlluar viktimën nga afërsia, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në kokë.

Prokuroria pretendon se në momentin e sulmit, Murseli kishte mbajtur viktimën për krahu, duke e pamundësuar shmangien e plumbit. Pas kësaj, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me fëmijët.