“Të burgosurit e ndërgjegjes”, – libër përplot histori të të burgosurve politikë

Rrëfime të të burgosurve politik mes viteve 1945 – 1999, janë bërë bashkë në librin e titulluar “Të burgosurit e ndërgjegjes”. Libri përbëhet nga copëza rrëfimesh të dhjetëra personaliteteve, të cilat shumë vite i kaluan nëpër burgjet serbe

Një pjesë të rëndësishme të rinisë së saj, Shukrije Gashi e kaloi në burgjet e Serbisë.

Ajo është ndër gratë kosovare, të cilat për shkak të aktiviteteve kundër pushtetit të viteve të 90-ta, bartën pasoja të rënda.

“Jeta në burg ka qenë e vështirë, tepër e vështirë. Një ditë prej mëngjesit deri në mbrëmje. Pjesën dërrmuese të kohës ke qenë e detyruar që të rrish në këmbë, se nuk ke pasur të drejtë me u ul në shtrat. Me kalu gardiani aty pari, edhe përmes vrimës së derës me të pa që je ulë, ta ka tërheq vërejtjen me fyerje. Ushqimi ka qenë tmerrësisht i dobët madje, madje ka ndodhur që mishin në gjellë shpeshherë na e kanë sjellë me krimba”, tha Shukrije Gashi – Ish e burgosure politike.

 Historia e Shukrije Gashit tashmë është bërë pjesë e një libri, që përbëhet nga histori të dhjetëra të burgosurve politik, të rrëfyera nga vet ata.

“Ka prej vajzave të asaj periudhe, siç është për shembull Kadrie Gashi, e cila sot e kësaj dite e ka syrin e dëmtuar që i loton, veshkët, e pasoja të tjera. Secila prej nesh po e them i ka pasojat, sepse përveç dhunës fizike, ka qenë edhe ambienti ku kemi jetuar”, tha Shukrije Gashi – Ish e burgosure politike.

Një pjesë të së kaluarës së tij në burgjet serbe, pjesë të librit e bëri edhe Ibush Neziri.

 “Në burgun e Staragradishës, nuk e kemi pasur burg, por e kemi pasur universitet dhe rektori i atij universiteti ka qenë baca Adem, i cili na ka mësu, i cili na udhëheqë, i cili na ka ndihmu sikur të ishim fëmijët e tij, nëse jo edhe më shumë”, thotë Ibush Neziri – Ish i burgosur politik.

Neziri nuk është i kënaqur me disa ndodhi pas luftës, të cilat ndërlidhen me të burgosurit politik.

“Ditën dhe natën nuk janë ndal torturat. Për fatin e keq, prej tyre të gjithë kanë qenë shqiptarë. Dhe përsëri po e them për turpin dhe faqen e zezë tonën, nga ata udbash të asaj kohe që kanë punuar në atë kohë për llogari të Beogradit dhe që na kanë torturuar për llogari të Beogradit, sot ka nga ta që e mbajnë edhe titullin e të burgosurit politik dhe të veteranit të UÇK-së”, shtoi ai.

E mbledhja e gjithë këtyre historive, nuk ishte e lehtë për autorin Korab Krasniqi.

“Në këtë libër, kemi pasur raste kur e kemi intervistu një të burgosur, i cili nuk ka pasur kujtesë për intervistën tonë. Unë mendoj që është momenti i duhur dhe koha e duhur që ajo kujtesë që është akoma e freskët në mendjet e njerëzve të ruhet, të dokumentohet. Jo vetëm për qëllime ligjore apo normative, por edhe të ruhet në kontekstin e konstruktimit të një kujtese kolektive e cila është gjithpërfshirëse”, tha Korab Krasniqi – Forum ZFD.

Libri që u publikua javën e kaluar, përmbanë histori të të burgosurve politik prej vitit 1945 e deri më 1999.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika